Tajfuni Hagibis që konsiderohet të jetë më i fuqishëm në 60 vitet e fundit, e ka goditur Japoninë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Paralajmërimi për këtë tajfun, ka bërë që raftet e super-marketeve të zbrazeshin nga ushqimet dhe gjërat elementare, derisa shumë biznese kanë paralajmëruar se nuk do të punojnë, transmeton Telegrafi.

Hagibis, që në gjuhën filipinase do të thotë ‘shpejtësi’, ka përparuar drejt veri-perëndimit me erëra maksimale deri në 162 kilometra në orë. Në mëngjesin e sotëm, pos goditjes nga tajfuni, Japonia u godit edhe nga një termet me magnitudë 5.3 shkallë të Rihterit.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë paralajmëroi për reshje të mëdha shiu në Tokio dhe zonat përreth, përfshirë Gunma, Saitama dhe Kanagawa.

“Bëhuni gati, për reshje shiu që nuk i keni përjetuar kurrë”, tha zyrtari i agjencisë meteorologjike, Yasushi Kajihara duke shtuar se edhe zonat zakonisht të sigurta nga katastrofat, mund të jenë të prekura.

Si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut dhe tërmeteve, raportohet edhe për shumë rrëshqitje dheu në mbarë shtetin.