Hapja e Ambasadës së Japonisë në Kosovë është një nga vendimet më të rëndësishme në kuadër të Nismës japoneze për Bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë i ngarkuari me punë i kësaj ambasade në Prishtinë, Ogasawara Mitsunori.

“Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor kontribuon në stabilitetin e tërë Evropës. Kosova nuk duket se ka një status të qëndrueshëm në bashkësinë ndërkombëtare dhe kjo është arsyeja se pse ne po përpiqemi ta mbështesim atë, në zgjidhjen e problemeve të brendshme, siç është varfëria, por edhe në skenën ndërkombëtare”, tha Mitsunori.

Nisma e Shinzo Abe
Nisma për Bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor u bë nga kryeministri japonez, Shinzo Abe në vitin 2018, me qëllim të forcimit dhe bashkëpunimit.

Mitsunori thotë se bashkëpunimi i ngushtë me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor është arritur përmes kësaj iniciative dhe se përqendrimi tani është te Kosova.

“Këtu (në Kosovë) nuk ka ambasadë kineze ose koreane, kështu që kur bëhet fjalë për Azinë, ne në fakt po përpiqemi të tregojmë praninë tonë. Ne nuk mund të sigurojmë para aq sa Kina (në rajon). Kina është dhjetë herë më e madhe se Japonia për sa i përket popullsisë, por gjithashtu është e madhe edhe në ekonomi. Ne po mundohemi të përqendrohemi te njerëzit dhe nevojat e tyre”, komentoi Mitsunori për shkrimin e fundit në revistën ndërkombëtare në internet, The Diplomat, lidhur me rolin më të madh të Japonisë në Kosovë, përderisa Kina ka mbetur mënjanë.

Përndryshe, Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka marrë ndihma mjekësore nga Kina, në kuadër të “diplomacisë së saj të maskave të fytyrës”. Gjithashtu, Kosova është edhe vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor në të cilin nuk ka investime ekonomike kineze. Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe respekton integritetin e Serbisë, e cila sipas Kushtetutës, ende e trajton Kosovën si pjesë të saj.​