Ditë më parë, në zyrat e OVL të UÇK-së hetuesit e Speciales kanë kryer një bastisje dhe dy arrestime. Ata arrestuan kryetarin e kësaj organizate Hysni Gucatin dhe nënkryetarin Nasim Haradinaj.

Aksioni i hetuesve të Speciales i zuri në befasi përfaqësuesit e kësaj organizate, të cilët u detyruan të lënë punën dhe të dalin jashtë objekti.

Xhavit Jashari, kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve në një intervistë për Telegrafin ka folur për ditën e premte kur edhe ndodhi aksioni i hetuesve të Speciales.

Jashari ka thënë se Gjykata Speciale është politike.

“Ne e dimë se Specialja është një gjykatë politike me tendenca të caktuara dhe të orientuara nga Beogradi, sepse ne ju kemi thënë edhe institucioneve tona që edhe është faji i tyre më i madh, viti 2015, kur deputetët e kanë votuar një Gjykatë të tillë. Ne e kemi kundërshtuar këtë. Qëllimet e vetme të kësaj Gjykatë janë që të barazojnë luftën e pastër të UÇK-së, me krimet që kriminelët kanë bërë në Kosovë”, pohoi ai.

Jashari tha se Gjykata Speciale duhet të merret me rrjedhjen e dokumenteve që kanë arritur në zyrat e OVL-UÇK-së.

“Mendoj që është e padrejtë, Gjykata duhet të merret se nga po rrjedhin informacionet, ato që kanë ardhur në organizatë, për të qenë korrekt me pastërtinë me luftën e UÇK-së. Për të qenë korrekt me njerëzit që përfaqësojmë ne vetëm i kemi njoftuar përmes mediave që kanë arritur dosje, dhe ne nuk kemi publikuar emra të dëshmitarëve, dhe mendoj se këtu nuk ka asnjë shkelje. I vetmi qëllim mendoj që me spektaklin që kanë dhënë në OVL-UÇK, ka qenë që ta na frikësojnë, por ne asnjëherë nuk jemi frikësuar dhe nuk ndihem të frikësuar”, u shpreh ai.