Problemi me Bullgarinë për gjuhën maqedonase nuk ekziston, por është i shpikur vetëm nga disa linguist bullgar. Kështu deklaron drejtoresha e Institutit të Gjuhës Maqedonase, Elena Jovanova Grujovska. Sipas saj maqedonishtja është e pranuar nga linguistika botërore ndërsa në Bullgari aktualisht gjuha keqpërdoret vetëm për përfitime politike.

“Unë u pohoj se ato janë kërkesa të kohëpaskohshme të një pjesë të linguistëve bullgarë, të cilat, politika bullgare tani dëshiron t’i shfrytëzojë për çështje të politikave ditore dhe për zgjedhje. Unë jam e bindur se askush nuk mund të na imponojë zgjidhje të çështjes e cila nuk ekziston”, deklaroi Elena Jovanova Grujovska, Instituti i Gjuhës Maqedonase.

Presidenti Stevo Pendarovski, thekson sa i përket gjuhës argumentet janë në anën e maqedonasve.

“Është interesant se mohimi nuk vjen nga autoritete dhe institute linguistike relevante botërore, të cilat për këtë çështje janë shprehur moti kohë, por më së shpeshti nga qarqe politike dhe politiko-akademike nga rrethi ynë i afërt”, pohoi Stevo Pendarovski, President i RMV-së.

Ndërkohë deputeti i OBRM-PDUKM-së Anonio Milloshoski akuzon pushtetin se veçmë ka përgatitur marrëveshje me Bullgarinë, sidomos për Goce Dellçevin dhe personalitete të tjera historike.

“Burime diplomatike në MPJ njoftojnë se propozimi i fundit nga Sofja zyrtare është se kryeministri Zaev dhe Borisov gjatë takimit të parashikuar më 11 nëntor në Bullgari do të duhet të pajtohen në definicionin e radhës për Gocen: “Goce Dellçev është maqedonas në kuptimin rajonal të fjalës, por në aspekt të përkatësisë etnike Goce Dellçev është bullgar i lindur në rajonin gjeografik Maqedoni”. Ky definicion më pas do të zbatohet edhe në shumë personalitete të tjera historike, si Dame Gruev, Nikolla Karev, Gjorçe Petrov, Panko Brashnarov, Kiro Gligorov e të tjerë”, shkruan Milloshoski.

Muajin ardhshëm kryeministri Zaev shkon në Sofje në kuadër samitit të procesit të Berlinit që do të mbahet në kryeqytetin bullgar./Alsat/