Për organizatorët e protestës studentore në Tetovë:

Të dashur miq të mi, deri dje kam heshtur sepse e kisha zemrën mal që më në fund studentët po e ngrinin zërin, por sot po ua nis ca fjalë.

Ndonëse ajo protestë nuk filloi si duhet unë isha krah jush, në rreshtin e parë duke brohoritur njejtë si ju për të drejtat që studentët nuk i kanë. Derisa ju nuk pranonit të prononcoheshit për media, isha unë ajo që në mënyrë indirekte lajmërova arsyet e protestës para tyre. E dini përse? Sepse kisha shumë, shumë dëshirë që ajo protestë të kishte sukses.

Shumë të nderuar miq, ajo protestë nisi pa u ditur mirë arsyet se përse protestohet, por mundej të qartësohen arsyet në qoftë se ju do pranonit ndihmën që nuk e pranuat nga njerëzit përreth.

Unë jam studente në një universitet privat dhe ndonëse kërkesat ju drejtuan më shumë një universiteti shtetëror unë isha pranë jush, sepse ai universitet sa është i juaji aq është edhe i imi. Ju morrët guximin dhe më thatë që “do vazhdonit protestën pa studentët e UEJL-së” edhe pse këta studentë ishin më aktiv edhe se ju vetë. Kur studentët e atij universiteti shtetëror mbanin ligjerata nga frika të dilnin në protesta, ne ishim me ju në rrugë, tre apo katër, shumë pak ka rënëdësi sa ishim. Klubi Feminist pranë UEJL-së ua kritikoi prorektorin Arbër Çeliku, qe u shpreh publikisht në televizion, kur u përmendën favoret seksuale që u kërkohen studenteve femra, se ka “nxitës korrupsioni” duke ju referuar kështu studenteve femra, dhe ju akuzuat ata që duan ta njollosin universitetin tuaj.

Të dashur miq, kur luftohet për ideale, duhet t’i dilet kundër edhe prindit në qoftë se është pengesë për atë ideal. Ju asgjë nuk bëtë . Ju e latë të kalojë në heshtje ultimatumi që vetë e vënduat. Ju na latë krejtve në baltë me heshtjen tuaj. Ju vetëm që ua vërtetuat studentëve edhe njëherë që kërcënimet do ua shuajnë zërin. Ju u TËRHOQËT, sepse nuk e patët parasysh prej në fillim se do keni kërcënime. Ju folët atë që se mendonit sepse ju bënë ta flisni të njejtën. . Ju keni refuzuar çdo prononcim për media, nuk keni dhënë asnjë lloj informacioni se si vazhdon protesta dhe çka do të bëhet më tej, ju keni refuzuar t’i dilni zot asaj proteste. Më vjen keq, probleme ka shumë, por nuk do zgjidhen me mënyrën tuaj kurrë.

Për aq kohë sa ju nuk ju referoheni studentëve si studentë por “studentë të UT-së” dhe “studentë të UEJL-së” ju nuk po na përfaqësoni të gjithëve denjësisht. Dhe e keni shumë gabim, Rita nuk është kundër protestave, Rita ka qenë dhe do jetë gjithmonë për të drejta të studentëve, të drejta të njerëzve, të drejta të grave. Por le ti kërkojmë ato në mënyrë të denjë dhe me transparencë. Pjesa më e madhe e studentëve as që ishin të informuar për atë protestë.

Ju e latë atë protestë të shuhet pa shumë zhurmë dhe kjo nuk ju falet, sepse ju ua shuat studentëve edhe shpresën e fundit që ju kishte ngelur për ndryshim. Ju thoni që do vazhdojnë këto protesta pas festave dhe ne me gishta të kryqëzuar presim që këtë herë të jetë ndryshe, këtë herë të dijmë se çka bëhet…