Hiqej sikur ishte Justin Bieber online dhe tani akuzohet për më shumë se 900 krime seksuale ku përfshihen të mitur, në Australi. Sipas policisë së Kuinslendit, një 42-vjeçar, hiqej si këngëtari kanadez për të marrë imazhe të caktuara nga fëmijët.

Ai tani akuzohet për 931 krime, përfshirë tre akuza për përdhunim, ndërsa viktimat në të gjithë globin janë 157. Zyrtarët e policisë e cilësuan ngjarjen të tmerrshme dhe paralajmëruan fansat e rinj të këngëtarit dhe prindërit e tyre të tregoheshin vigjilentë.

“Fakti që kaq shumë fëmijë mund të besojnë se po komunikojnë me këtë person të famshëm, nxjerr në pah nevojën për një rimendim serioz për mënyrën se si ne si shoqëri i edukojmë fëmijët tani dhe për sigurinë online”, thanë zyrtarët.

Policia e Kuinslendit konfirmoi se në hetim ishin përfshirë edhe autoritete ndërkombëtare. Sipas mediave lokale, bëhet fjalë për policinë gjermane dhe për sigurinë e brendshme amerikane. Nga viktimat e supozuara, 50 janë në SHBA, 20 në Britani dhe 6 në Australi.

Informacione më të detajuara ndërkohë vazhdojnë të mblidhen. I akuzuari përdorte platforma të ndryshme online, përfshirë “Facebook”-un dhe “Skype”-n për të komunikuar me fëmijët.