OJQ “Ka Ardhmëri”, e përshëndetë vendimin e BDI-së për pjesëmarrje në Qeverinë e Maqedonisë të udhëhequr nga LSDM dhe Zoran Zaev.

“Ka Ardhmëri” e dënon “destruktivitetin dhe politikën anti-shtetërore të VMRO-DPMNE-së nga makineria e korruptuar mediale e cila manipulon dhe shpif për mbjellje të frikës te qytetarët”.

“E ftojmë Zoran Zaevin me partitë koalicionuese që të hënën ta konsolidojnë shumicën parlamentare dhe të formohet Qeveri në afat sa më të shkurtër. Një ndër detyrat e para që të duhen të bëjnë pas formimit të Qeverisë është që të ngritin procedurë për përgjegjësi të personit Gjorge Ivanov i cili nga pozita e presidentit i ka bërë dëme të pariparueshme shtetit”, thuhet në kumtesën e OJQ-së.

Ata gjithashtu i përshëndesin përpjekjet e BE-së, Gjermanisë, SHBA-së, NATO-s, për dalje nga kriza politike, ndërkaq sipas tyre inkurajimi i Rusisë “për shkelje të Kushtetutës nuk ka qasje pozitive”.