Ismail Kadare, njeriu i letrave shqipe sot mbushi 81 vjeç. Kadare nuk është vetëm shkrimtari më i madh ndër shqiptar, atë tashmë e njeh edhe bota.
Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003.
Mos harroni në listën tuaj ta keni “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964), ideja e këtij romani është shpirti liridashës i popullit shqiptar.
Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin “Kështjella” (1975).
Në romanin “Kronikë në gur” (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike.
Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela “Emblema e dikurshme” (1977), “Ura me tri harqe” (1978).
Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani “Pallati i ëndrrave” (1981).
Libra të tjerë me rëndësi të Kadaresë janë: “Mosmarrëveshja”, “Darka e gabuar”, “Prilli i thyer”, “Aksidenti”, “Mjegullat e Tiranës”, “Mëngjeset në kafe Rostand”.
Po ndajmë me ju disa vlerësime të kohësve për veprën e Kadaresë:
Alain Bosquet: Asnjë fushë dhe asnjë lloj gjendjeje shpirtërore nuk është e huaj për gjenin krijues të Ismail Kadaresë, që është pa dyshim shkrimtari më i begatë dhe më i larmishëm i kohës sonë. Po ç’presin vallë, ata zotërinjtë e Stokholmit?
Alain Bosquet: Ta nderosh Kadarenë me Nobel, nuk do të thotë ta emanciposh atë. Do të thotë të emancipoheni vet ju. (Letër dërguar jurisë së çmimit Nobel)
John Kerry: Kadare, një shkrimtar që mbulon një kulture të tërë… një shkrimtar universal me një traditë në të treguarin e historive që shkon pas deri në kohët e Homerit.
Rexhep Qosja: [Romanit “Kështjella”] mund t’i shtohet nga diçka, por prej tij nuk mund të hiqet asgjë: asnjë skenë, asnjë fjali, asnjë fjalë, asnjë detaj. (Panteoni i rralluar, Rilindja, Prishtinë, 1973)
Jeta dhe çmimet e kolosit Kadare
Ismail Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi.
Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova.
Me veprat e tij, shkrimtari Kadare e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe kulturën e saj shekullore.
Kadare ka nisur të shkruajë kur ishte ende i ri dhe veprat e tij janë përkthyer në mbi tridhjetë gjuhë të botës.
Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë.
Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi Man booker International Prize dhe në vitin 2009 mori çmimin Prince of Asturias për Artet.
Ndërsa në 2015-ës, Kadare ka qenë fitues i Çmimit të Jeruzalemit në Letërsi, po në këtë vit me pëlqimin e autorit, fondacioni Mapo filloi të ndajë çmimin “Kadare” për letërsi.
Në janar të 2016-ës Kadare dekorohet “Komandant i Legjionit të Nderit” në Francë.
Shtëpia e restauruar e njeriut të letrave
Klan Kosova vitin e kaluar ka realizuar një reportazh në shtëpinë ku lindi, jetoi dhe veproi kolosi i letrave, Kadare.
Mësoni më shumë rreth restaurimit të shtëpisë së këtij shkrimtari, shtëpi e cila fatkeqësisht u dogj në vitin 1999, por që me shumë mund pamja e saj iu është kthyer origjinales.
Kjo shtëpi sot është kthyer në një muze ku ju mund ta përjetoni vendin e lindjes së shkrimtarit Kadare.
Më shumë rreth restaurimit të shtëpisë së shkrimtarit, mund të mësoni në videon e mëposhtme.