Drejtori i Agjencisë për Kadastër të Patundshmërive, Sllavçe Tërpeski apelon qytetarët dhe kompanitë deri në fund të muajit të shtrojnë kërkesë për përgatitjen e elaborateve për legalizimin e objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme deri te kompanitë e autorizuara gjeodezike dhe paralajmëron se do të shtrojnë kërkesë për vazhdimin e afatit për përpunimin e elaborateve.

Oda e Gjeodetëve të autorizuar, Telekom dhe VIP tashmë kanë dorëzuar kërkesë që të vazhdohet afati për përgatitjen e elaborateve gjeodezike, i cili skadon më 31 dhjetor të këtij viti.

“Këtyre ditëve është rritur numri i kërkesave të shtruara për përgatitjen e elaborateve dhe prej bisedave me 141 kompani të autorizuara gjeodezike mund të konstatohet se edhe 70.000 kompani dhe qytetarë do të shtrojnë kërkesa për përgatitjen e elaborateve. Të vetëdijshëm se nuk mundet për 20 ditë të përpunohen, apelojmë deri më 31 dhjetor të shtrohen kërkesat për përpunimin e elaborateve, ndërsa Agjencia për kadastrën e patundshmërive do të kërkojë të shtyhet afati deri kur kompanitë gjeodezike do të duhet t’i përgatisin elaboratet”, tha Tërpeski në konferencën e sotme për shtyp.

Ai theksoi se vetëm Kuvendi, i cili akoma nuk është konstituuar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, mund ta vazhdojë afatin për legalizimin e objekteve të ndërtuara në mënyrë joligjore.

Deri më tani, siç theksoi Tërpeski, në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë janë legalizuar 167.897 objekte.