Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi në fjalimin e tij me rastin e zgjedhjes së qeverisë së re, ka thënë se shqiptarët e boshnjakët nuk janë të shtypurit e vetëm.

Ai ka shtuar se Qeveria Bërnabiq1 nuk ndërmori asnjë veprim dhe vendim për t’i jetësuar tri marrëveshjet e firmosura nga qeveritë e Serbisë me të zgjedhurit e Luginës.

“Nuk zhbllokuat dialogun e nisur midis qeverisë dhe zyrtarët e Luginës. Nuk iniciuat asnjë ndryshim të rëndësishëm ligjor, e mos të flasim kushtetues, që përmirëson pozitën dhe të drejtat e minoriteteve në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti. Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë sot rajoni shembullor i diskriminimit. Metodat e vjetra të diskriminimit janë zëvendësuar me format e padukshme bashkëkohore të shtypjes”, ka thënë Kamberi.

Ai ka theksuar se Vuçiq dhe Daçiq po dëshmohen më efikas se baballarët e tyre ideopolitik.

“Ky koalicion midis të ashtuquajturave e djathta e qendrës dhe e majtës e qendrës ka prodhuar pushtetin më totalitar të historisë së Serbisë postsocialiste. Natyrisht, përmes procesit zgjedhor, si të gjitha pushtetet autoritare dhe totalitare të kohërave moderne”, ka thënë Kamberi.

Kamberi ka shtuar se sa më shpejtë rrëzohet kjo qeveri dhe shpërbëhet ky kuvend, aq më shumë ka shpresë për liri, barazi dhe demokraci.

Fjalimi i tij i plotë:

Fjalim i deputetit Shaip Kamberi në Kuvendin e Republikës së Serbisë, me rastin e zgjedhjes së Qeverisë së re.
Beograd, 28 tetor 2020
Të nderuar qytetarë,
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë popullor,
Mirëdita – Dobar dan

Sot, po kërkohet prej nesh ta mbështesim zgjedhjen e Qeverisë së Re të Republikës. Qeveri të re me kryeministre të njëjtë. Me shef të njëjtë. Ku Presidenti është edhe kryeministër, edhe qeveri, edhe parlament. Edhe vetë shteti. “L’État c’est moi”.

Ndryshe nga kryeministrja, parlamenti është i ri. I veçantë. Se opozita e vetme parlamentare është grupi i deputetëve të Luginës së Bashkuar dhe SDA-Sanxhakut. Kush do ta kishte menduar se një ditë, opozitën parlamentare në Serbi do ta përfaqësonin vetëm deputetët shqiptarë e Luginës së Preshevës dhe boshnjakë të Sanxhakut?
Një opozitë me 6 deputetë prej 250. Trishtuese. Një parlament të tillë nuk e prodhoi as Sllobodan Millosheviqit.
Po ja që z.Vuçiq dhe z.Daçiq po dëshmohen më efikas se baballarët e tyre ideopolitik. Ky koalicion midis të ashtuquajturave e djathta e qendrës dhe e majtës e qendrës ka prodhuar pushtetin më totalitar të historisë së Serbisë postsocialiste. Natyrisht, përmes procesit zgjedhor, si të gjitha pushtetet autoritare dhe totalitare të kohërave moderne.
E vërteta e vetme e parrullës « Serbia si Evropa » është “Serbia si Bjellorusia”. Edhe pse në Minsk ka opozitë në rrugë.
Por sigurisht se vitet kanë ecur. Radikalët e retushuar kujdesen për imazhin e tyre. E kush më mirë përfaqëson imazhin “pro-evropian” se një kryeministre grua, pasionisht liberale, e shkolluar në universitetet perëndimore dhe që buron nga shoqëria civile. Një qeveri me 11 gra. Edhe multietnike aty-këtu, me ndonjë pjesëtarë të dëgjueshëm nga radhët e minoriteteve, në rend të dytë dhe të tretë përfaqësues dhe pa pushtet të vërtetë ekzekutiv. Dhe qershia mbi tortë, tashmë edhe me ministri për të drejtat e njeriut, barazi gjinore dhe dialog shoqëror.
Sa bukur po duket. Skenar perfekt.

Mirë se vini në parajsën e stabilitetit dhe progresit. Serbia më demokratike se Suedia dhe Gjermania me rrezikun neonazist, apo Spanja me separatistët e saj.
Nuk ka më shpërndarje të fotove nga malet përreth Sarajevës nën bombardime. Nuk ka më fjalime të llojit se do t’i vrasim 100 myslimanë për çdo serb të vrarë. Nga ministra të informatave dhe zëdhënës të Millosheviqit tashmë në zyret e Washingtonit dhe Brukselit për marrëveshje politike me ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hera-herës edhe ndonjë foto me mikun Çeda Jovanoviq dhe ndonjë përplasje retorike me Vojisllav Sheshelin i cili përdoret mjeshtrisht për kërcënimin e rrezikut se ka edhe më keq.
Piromanët e djeshëm janë shndërruar në zjarrfikës të sotëm. Kanë veshur petkun e reformatorëve demokratikë. Pse jo, kur opozitarët e tyre në Beograd dëshmojnë çdo ditë se janë të paaftë për ta ndërtuar një alternativë të shkëputjes reale nga Ancien Régime.
Ja tani, Serbia ka pushtet garantues të stabilitetit dhe paqes rajonale. Me diskurs publik « modern » nën përkëdheljen e kryeqendrave të botës, që parapëlqejnë stabilokracinë kundrejt demokracisë. Po lulëzon Serbia.

Në njërën anë, takime dhe dëfrime me Donald Trumpin, Angela Merkelin, Emanuel Macronin, Rexhep Taip Erdoganin, Vlladimir Putinin, Bakir Izetbegoviqin, Andrej Plenkoviqin, Millo Gjukanoviqin, Joseph Borrelin, Hashim Thaçin dhe Edi Ramën.
Në anën tjetër, shtet i kapur dhe “deep state”. Çdo ditë, gjuhë urrejtje, gjuhë seksiste, denigrime, linçime, përndjekje dhe shantazhime të opozitarëve në Serbi. “Šiptari”, “Turci”, “Ustaši”, “NATO kriminelët”, “Hajna”. Ky është zhargoni i përditshëm i makinerisë propagandistike të pushtetit.
E kush më mirë për këtë detyrë, se ish-zëdhënësi i Mira Markoviqit për ministër të policisë, i ashtuquajturi « ratni huškači » (nxitësi i luftës) i viteve ‘90 që i shmangej në kohë lufte shërbimit dhe mobilizimit ushtarak, për t’u rrëzitur në ishujt Sejshell dhe për ta ndjekur përzgjedhjen e Miss Botës në kohë sanksionesh.
I ashtuquajtur i majtë radikal këmishëzi pseudo-çegevarist që krenohet sot me fyerjen e minoriteteve, duke e vërtetuar thënien e Filip David : « Primitivizmi është infektues. Në kohë të errëta, kultura e primitivëve bëhet kulturë shtetërore. Idhujt e tyre, idhuj të masave ».