Me paraqitjen e dëshmive materiale nga Prokuroria, sot në Gjykatën Penale në Shkup ka vazhduar gjykimi për rastin “Parcelat në Vodno”. Prokurorja publike Lile Stefanova, i prezantoi noterizimet e dokumenteve dhe vërtetime për pagesë për shitblerjet e realizuara. Por, në fillim të seancës së sotme, mbrojtja e të akuzuarit Jordan Kamçev propozoi të shfuqizohet masa e paraburgimit apo ajo të zëvendësohet me paraburgim shtëpiak, transmeton Portalb.mk.

“Kam pasur pasaportë të përkohshme nga maji i vitit 2019 deri në nëntor 2020 dhe e kam shfrytëzuar 56 herë për udhëtime zyrtare. Herën e fundit e kam shfrytëzuar katër ditë para skadimit, për udhëtim urgjent në Stamboll, për çka është i informuar edhe ministri Spasovski. Nëse do të doja të arratisem, do të arratisesha”, deklaroi i akuzuari Kamçev.

Sipas tij, prokurorja Stefanova në të gjitha gjashtë kërkesat për ndryshim të masave të caktuara i manipulon të dhënat, për çka, tha se do të ketë edhe procedurë të veçantë kundër saj.

“Prokurorja manipulon se unë posedojë kompani në Serbi, Kroaci, Kosovë dhe Rusi, për të cilat kemi dorëzuar të dhëna nga regjistrat qendrorë prej këtyre shteteve se të gjithë këto kompani janë mbyllur, me çka dëshmohet se dëshmitë e dorëzuara nga Prokuroria janë të rrejshme dhe të pasakta”, deklaroi Kamçev.

Ai tha se, edhe pse deri më tani ka ofruar garanci prej disa milionë, më të holla, pronë dhe aksione, përsëri shtat muaj po qëndron në paraburgim në burgun e Shutkës dhe për këtë ka kërkuar nga Gjykata t’i caktojë garancinë e nevojshme bankare apo kaucion, që do t’i mundësojë të mbrohet në liri apo në paraburgim shtëpiak.

Avokati i tij, Goce Risteski theksoi se për të akuzuarit është dorëzuar edhe dokumentacion vëllimor mjekësor, se ka implikime serioze për rrezik nga vdekshmëria kardiovaskulare.

Gjykatësi Ilija Trpkov, tha se një propozim i këtillë është bërë në fillim dhe jo në fund të seancës, siç është praktikë dhe se Gjykata do të vendos për propozimin në fund të seancës së sotme.

Gjykata gjithashtu, pyeti se kush e përgatit ushqimin dietal që i dërgohet të akuzuarit, sepse tha se Gjykata ka marrë njoftim se gjatë kontrollit të ushqimit për të akuzuarin Jordan Kamçev, janë zbuluar puro dhe gërshërë për prerjen e purove.

Kamçev deri më tani në dy raste ka tentuar që me kaucion të del nga burgu i Shutkës, por në të dy rastet ajo u refuzua.

Për lëndën, përpos Kamçevit, të akuzuar janë edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski, ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, Risto Novaçevski dhe Nena Josifoviq.

Hetimi për “Parcelat në Vodno” është hapur në nëntor të vitit të kaluar dhe sipas gjetjeve nga Prokuroria, në periudhën prej vitit 2006 deri në vitin 2012-të, me para nga anëtarësia dhe donacionet partiake të VMRO-DPMNE-së janë blerë parcela në vende atraktive në Vodno, gjegjësisht tokë prej 11.0000 metër katrorë.

Ky hetim u zgjerua dhe u kryen bastisje në Bihaçka, a më pas u kumtua se janë zbuluar dy banesa të reja dhe një parcelë prej 3.000 metrave në Vodno, të cilat vlerësohet të jenë në pronësi të Gruevskit. Kjo pronë u ngri.

Sipas hetimit, Gruevski në periudhën nga 2006 deri në 2012, një pjesë të donacioneve për financim të partisë i ka pranuar personalisht dhe nuk i ka treguar si donacione të pranuara për në raportin financiar të partisë. Në këtë mënyre ai dyshohet se ka përvetësuar më së paku 1.300.360 euro ose 79.972.140.00 denarë. Pas kësaj, në periudhën nga tetori 2012 deri në shtator të 2013, ata para i ka lëshuar në treg duke blerë banesa, toka në Vodno përmes firmës bijë të firmës Belize, drejtues i së cilës ka qenë familjari Risto Novaçevski.

Paratë nga donacionet, janë transferuar në xhirollogarinë e firmës bijë dhe më pas Novaçevski me ata para ka paguar pronarët e tokave, për të fshehur burimin e parave dhe pronari i vërtetë i tokës me hapësirë prej 11.000 metër kuadrat.