Bashkëshortja e afaristit Orce Kamçev, Ana Kamçeva e ka filluar dëshminë e saj për rastin “Haraçi”.

Kamçeva tha se më 9 nëntor 2018, gjysmë ore pas mesnate, burri i saj e ka zgjuar dhe i ka thënë se do të ketë kontroll në shtëpinë e tyre, pas informacioneve të Zoran Milevskit, i cili ka qenë i afërt me Bojan Jovanovskin. Bëhet fjalë për rastin “Perandoria” e cila u hap nga PSP-ja, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Në gjashtë të mëngjesit kishte kontroll, në 10:00 në kompaninë Orka Holding, ndërsa pasdite Jordani u nxor para gjykatësit të procedurës paraprake”, tha Kamçeva. Ajo tha se për herë të parë Katica Janevën e ka njohur mbrëmjen kur të dyshuarit në rastin “Perandoria” u nxorën para gjykatësit.

Kamçeva tha se prokurorja Lile Stefanova është sjellë në mënyrë të pandershme dhe avokatit Antonio Apostollski i ka thënë se “nuk mund t’i bëjnë asgjë, pasi fuqia është tek ajo”.

Më vonë Zoran Milevski, i cili ka qenë i afërt me Kamçevin, ka caktuar takim në një banesë në Kapishtec, me avokatin Vasil Dimishkov, i cili është vëllai i gjykatëses Vesna Dimishkova.

Kamçeva tha se Dimishkova e ka ditur se për burrin e saj do të ketë përndjekje penale dhe se duhet bashkëpunim me të, në mënyrë që të kalojë më lehtë.

“Më tha se motra e tij Vesna Dimishkova është në lidhje të afërt me prokuroren Lile Stefanova. Për lirinë e Kamçevit është dashur të paguajmë 2.4 ose 6 milionë euro, varësisht nga situata”.

“Tha se shuma është e madhe pasi lënda është specifike dhe duhet që me këtë shumë të pensionohet motra e tij. Isha e shqetësuar dhe kam qarë, por edhe e befasuar që nuk e kam ditur fundin e ‘Haraçit’”, tha Kamçeva.