Shkruan Ardonit Ismaili

Ditëve të fundit, është e qartë që zëri i ‘neokomunistëve’ të del edhe nga varri, vetëm që shoqëria të kthehet në amanetin e të parëve të tyre, për të përbuzur shqiptarët dhe për të kthyer vendin në një Jugosllavi moderne, por tani jo e drejtuar nga Beogradi, por të drejtuar nga Shkupi.

Përkrahja që disa parti shqiptare, po i japin kandidatit maqedonas Stevo Pendarovski, gjoja se qenka ‘konsensual’ është vetëm një lojë e vjetër e ‘neokomunistëve’ për udhëhequr shtetin me pozita të larta. Ndërsa konsensualiteti nënkupton pajtueshmëri të plotë, e në këtë rast pa pajtueshmërinë e shumicës e të gjithëve, Stevo Pendarovski mund të jetë vetëm një kandidat i pushtetit që me mekanizmat e tij dëshiron të mbajë në kthetra shqiptarët.

Një, dallim mes Blerim Rekës dhe Stevo Pendarovskit, që edhe kandidati shqiptar e potencoi është se Blerim Reka dhe shqiptarët duan republikë për të gjithë ndërsa Stevo Pendarovski dëshiron shoqëri për të gjithë. Deklarata e kryeministrit Zoran Zaev, që për herë të parë u bënë bashkë partitë e nacionaliteteve të ndryshme për të pasur një President, nuk mund të ngjason ndryshe ashtu si dhe kumtesat dhe thirrjet e Lidhjes Komuniste të dikurshëm për të ‘reklamuar’ vlerën demokratike të multinacionalitetit e në anën tjetër për të vazhduar avazin e vjetër të amanetit të Titos.

Andaj, duke parë rrethanat historike-politike të shekullit të kaluar, por edhe ato sot, me idenë e ‘shoqërisë për të gjithë’, do të ishte e kot që shqiptarët të mos kishin një kandidat të tyre në zgjedhjet Presidenciale, sepse ashtu do të ktheheshim pas në sistemin e kaluar kur vetëm të ‘përkëdhelurit’ e pushtetit fitonin të drejtën të zgjidheshin në institucionet publike.

Ndërsa frikën për kandidaturën e Blerim Rekës, mund ta tregoj takimi Mickosvski-Zaev, ku gjithmonë kur shqiptarët përparojnë politikat e tyre dhe pozitën, maqedonasit ulen dhe kuvendojnë. Statistikat për pozitën e shqiptarëve i dinë mirë edhe kandidati ‘konsensual’ të cilit drejtpërsëdrejti ia kemi paraqitur muaj më parë, në një tryezë të rrumbullakët, ku ky i fundit më nuk u interesua më për të dhënë përgjigje.

Pra, kandidimi i Profesor Blerim Rekës është një ndalesë për kthimin e sistemit shtetëror në një ‘neoJugosllavi’, kjo sepse u jep të drejtë shqiptarëve të përfaqësohen denjësisht duke pasur kandidatin e tyre, dhe jo duke u imponuar të votojnë President ‘neokomunist’ ashtu siç detyroheshin nga politika e dikurshme.

Ardonit Ismaili
11.03.2019