Dy frigoriferë për depozitimin e vaksinës Faizer kanë arritur dhe tre të tjerë do të vijnë javët e ardhëshme. Frigoriferët ruajnë vaksinën në -70 gradë Celsius, ndërsa një frigorifer mund të mbajë rreth 100 mijë vaksina, ka njoftuar ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ai ka paralajmëruar se muajin e ardhëshëm do të arrijnë dozat e para të vaksinës kundër Kovid19 nga prodhuesi Fajzer dhe përmes mekanizmit Kovaks, ndërsa sistemi shëndetësor tanimë është i gatshëm për të filluar procesin e vaksinimit. Për këtë qëllim brenda një periudhe të shkurtë do të nënshkruhet marrëveshja me Faizer për 5.850 dozat që do të arrijnë në shkurt dhe më pas 17.500 doza në mars dhe në prill. Gjatë muajit shkurt, Filipçe ka thënë se do të arrijnë edhe vaksinat përmes Kovaks sistemit, për të cilat është bërë parapagimi dhe është siguruar garancia e nevojshme. Sasia e përgjithshme e vaksinave që përmes këtij mekanizmi do të arrijnë në Maqedoninë e Veriut në këtë fazë është 833.000 doza.

Venko Filipçe

“Është përgatitur tërësisht sistemi për depozitim, plani për distribuim, identifikimin e grupeve kritike sipas prioritetit. Është bërë plani, ato janë tre grupe. Në fazën e parë janë punonjësit shëndetësor që trajtojnë pacientët me Kovid, të punësuarit në laboratore ku bëhet diagnostifikimi, kujdestarët në qendrat e personave me nevoja të veçanta dhe personat e grupeve të moshuara mbi 70 vjet që kanë komorbiditete. Në grupin e dytë janë punonjësit e tjerë shëndetësor, të punësuarit në infrastrukturën kritike –arsimtarët, të punësuarit në kopshte, gazetarët dhe gjithsesi pacientët e grupmoshave të tjera që kanë sëmundje kronike. Janë përgatitur tërësisht edhe shtëpitë e shëndetit dhe qendrat e shëndetit publik në mbarë vendin që ti pranojnë dhe aplikojnë vaksinat sipas kësaj rënditje”

Ai këto komente i bëri në një intervistë për televizionin Sitell ku foli edhe për masat mbrojtëse me qëllim parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit. Filipçe tha se masat ishin mirë të dimenzionuara dhe dhanë rezultat pasi tanimë regjistrohet rënie e rasteve të reja dhe rënie e numri të të hospitalizuarve. Por kjo sipas tij nuk duhet të na bëjë të ulim shkallën e kujdesit gjatë periudhës në vazhdim, pasi rreziku ende mbetet në fuqi.

Venko Filipçe

“Duhet t’i falënderojmë qytetarët që i respektojnë masat parandaluese. Nuk kishte rritje të numrit për shkak të festave të vitit të ri si pasojë e grupeve. Tani jemi në një periudhë që duhet të shohim dhe vlerësojmë se çfarë do të rekomandojmë më tej. Masat varen nga gjendje epidemiologjike. Spitalet janë boshatisur. Më shumë se 50% e kapaciteteve të spitaleve në gjithë vendin janë bosh. Ne jemi në një gjendje stabile, po kjo nuk do të thotë se tani duhet të jemi më pak të kujdesshëm. I ndjekim numrat e rasteve të reja dhe hopsitalizimeve. Jemi të kujdesshëm për shkak se gjithçka është e mundshme”

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se në klinikën Infektive ka shtretër të lirë pas një periudhe të gjatë dhe nga java e ardhshme kthehen në funksion disa reparte. Ai alarmoi që të mbahet kujdesi për shkak se vendi mund të ballafaqohet me një valë të tretë siç ndodhi me vendet tjera.