Spostimi i ndeshjes Shqipëri- Izrael nga Shkodra në Elbasan ka sjellë një kaos, sa i takon problemit të biletave. Ndonëse mbrëmë Federata Shqiptare e Futbollit sqaroi tifozët, që kishin blerë bileta, për mënyrën si do t’i konvertonin ato nga bileta të “Loro Boriçit” në ato për në “Elbasan Arena”, kjo gjë nuk po ndodh në realitet. Po ashtu, bëhet e ditur se edhe ata që nuk dëshironin të shkonin të shtunën në Elbasan mund të kthenin mbrapsht biletën dhe të merrni paratë e shpenzuara. Por, në fakt, nuk ka ndodhur kështu. Të paktën deri në mesditë, në sportelin pranë stadiumit “Loro Boriçi” nuk është kryer asnjë veprim. Tifozë në numër të konsiderueshëm, me bileta në duar, kanë kërkuar të merrnin një përgjigje, se çfarë do të bëhej me to. Nga përfaqësuesit e firmës, që merret me shitjen e biletave, nuk kanë marrë asnjë përgjigje, sepse edhe vetë ata ishin në pritje të udhëzimeve që do t’u vinin nga kryeqyteti. Një situatë e tillë ka krijuar kaos në ambientet pranë stadiumit. Shumica e tyre, duke folur për “telesport.al”, kanë shprehur zemërimin e tyre për një situatë të tillë. Një pjesë e konsiderueshme kanë dashur të kthejnë biletat e blera dhe të marrin paratë në dorë, sepse, sipas tyre, nuk i kanë mundësitë financiare për të udhëtuar drejt Elbasanit.