Kryetari i Lëvizjes BESA dhe i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, në “Programin 200” në Alsat, i është përgjigjur zyrtarëve të BDI-së, të cilët ditëve të fundit i kanë quajtur partitë opozitare shqiptare “parti mahallash” dhe kanë paralajmëruar se do ta fitojnë këtë komunë pas tre vitesh. Kasami tha se qytetarët e Tetovës nuk duan as t’i shohin zyrtarët e BDI-së për shkak të, siç tha, dëmeve të shumta që i’a kanë shkaktuar këtij qyteti.

“Ata harxhojnë shumë para të qytetarëve për propagandë politike për ta paraqitur të zezën të badhë.Në fitoren e parë ndaj BDI-së, u munduan ta relativizojnë fitoren e Lëvizjes BESA. E pranojnë se e humbën Tetovën por pretendojnë se do ta fitojnë pas tre vitesh. Gostivarin nuk e fituan brenda 3 vitesh, por Tetovën ta harrojnë edhe pas tetë vitesh sepse nuk do ta fitojën. I kanë bërë aq dëm Tetovës dhe mendoj se tetovarët nuk duan as të dëgjojnë për BDI-në. Ndoshta ndonjë kandidat i pavarur mund ta fitojë Tetovën por BDI asnjëherë”, u shpreh Kasami në “Programin 200”.