Kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami ka paralajmëruar krijimin e një fronti të fuqishëm opozitar para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare që pritet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.

Kasami paralajmëroi se nëpërmjet zgjedhjeve do të ndodhë ndryshimi i shumëpritur dhe se Qeverinë e re do t’a udhëheq një gjeneratë e re e politikanëve, të cilët përfundimisht vendin do e nxjerrin nga kriza politike dhe do t’a çrrënjosin korrupsioni që tani më ka shkatërruar çdo pore të shoqërisë. Kasami këto komente i bëri gjatë një prononcimi për gazetën LAJM.
Ai u shpreh se këtij fronti të fuqishëm opozitar, tashmë mbështetje të fuqishme i japin një numër i madh i të rinjve që për çdo ditë i bashkangjiten Lëvizjes Besa .

Kasami ndër të tjera ka thënë në zgjedhjet e ardhshme do të jetë një “luftë” e fuqishme mes të vjetërve të korruptuar të pushtetit dhe atyre të rinjve të cilët kanë zgjedhur të mos largohen nga vendi, por Evropën dëshirojnë t’a ndërtojnë në vendin e tyre.

Është duke u punuar me gjithë spektrin opozitar, dhe jemi duke zhvilluar bisedime të përbashkëta me Alternativën, fraksionin brenda BDI- së si dhe me struktura dhe anëtarë të Aleancës për Shqiptarët të cilët janë të zhgënjyer nga lidershipi i tyre , dhe ndjehen të fyer me afërsinë e krerëve të kësaj partie me Artan Grubin dhe BDI-në.
Sa i përket bashkëpunimit me Alternativën, Kasami tha se janë tejkaluar të gjitha keqkuptimet e mëhershme dhe se formalizimi i bashkëpunimit tashmë është thuajse punë e kryer dhe drejt fundit.
Poashtu potencoi se janë në komunikim intensiv me shumë intelektual dhe aktivist të shoqërisë civile.

Më tej Kasami ka shtuar se për dallim nga BDI që shkel gjithkënd që del me mendime dhe qëndrime ndryshe prej lidershipit të partisë, fronti i përbashkët opozitar prioritet do të ketë kultivimin e tolerancës, mendimit të lirë dhe një demokracie të vërtetë brenda strukturës së saj, e jo ti ngjajë BDI-së, dhe mendësisë së saj enveriste.

Sipas Kasamit, zgjedhjet ardhëshme do të jenë vendimtare dhe se fitorja tashmë ka filluar të ndjehet gjithandej, për më tepër kur në BDI për çdo ditë ndjehet përçarja dhe se nuk do të jetë e largët dita , kur nga një parti e fuqishme nuk do të mbetet asgjë, përveç një grupi të vogël grubistësh, të zhytur deri në fyt në krim dhe korrupsion./fol.mk