Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami, në konferencë për shtyp është deklaruar pas vendimit të BE-së për të mos dhënë datë për nisjen e negociatave ne Maqedoninë e Veriut.

Ai tha se pëgjigjja negative e BE-së e tregon dështimin e qeverisë, prej të cilës kërkoi dorëheqje kolektive.

“Përgjigjja negative për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian vërtetoi edhe një herë dështimin e kësaj qeverie. Lëvizja Besa kohë më parë paralajmëroi se nuk është bërë aq sa duhet që ne të marrim datë për negociatat.

“Nga dita e sotme vendi është në krizë të thellë dhe kjo krizë zgjidhet duke dhënë dorëheqje kolektive ky kabinet qeveritar dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Dështimet e qeverisë ishin shumë më të mëdha, se sa gatishmëria e disa vendeve për të na pranuar në BE. Dështimin e kësaj qeverie e vërteton edhe takimi i liderëve i ftuar nga presidenti i shtetit”, tha Kasami.

Ai gjithashtu tha se do të merr pjesë në takimin e ftuar nga Pendarovski, i cili do të mbahet të dielën, ndërsa theksoi se edhe atje do të paraqesë kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare.