Komisioni Evropian dha sot një afat prej 10 ditësh për nëntë vende të konsideruara si “nxënës të këqinj” të Bashkimit Evropian përsa i përket cilësisë së ajrit, mes të cilëve Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, për të paraqitur masa të reja për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe për të shmangur dërgimin para drejtësisë evropiane.

“Komisioneri Karmenu Vella ka dhënë një afat për shtetet anëtare deri në fund të javës së ardhshme, për të përfunduar dosjet e tyre, për të shmangur një dalje para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, theksoi Margaritis Schinas, zëdhënës i ekzekutivit evropian.

Vella, komisioneri evropian për Mjedisin thirri sot në mëngjes në Bruksel nëntë shtete anëtare, mes të cilëve Francën, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe, paralajmëruar disa herë për tejkalim të normave përsa i përket emetimeve të ndotjes dhe nën kërcënimin e një padie në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.

“E vetmja gjë që mund të ndalojë Komisionin t’i drejtohet  Gjykatës, është nëse shtetet anëtare do paraqesin masa të mjaftueshme për të arritur objektivat e tyre në një kohë të shkurtër”, deklaroi Vella në përfundim të takimit.

Ndotja e ajrit është gjykuar si shkaktare për vdekjen e më shumë se 400 000 personave në vit në BE, pa llogaritur evropianët e prekur nga sëmundjet respiratore dhe kardiovaskulare.

Nëntë vendet e thirrura si Gjermania, Spanja, Franca, Hungaria, Italia, Republika Çeke, Rumania, Britania e Madhe dhe Sllovakia kalojnë rregullisht dhe prej disa vitesh limitet për emetimet e ndotjes së ajrit.