Paralajmërimet e Trump nuk kanë rënë në vesh të shurdhët. NATO-ja është vënë në lëvizje për t’iu afruar më shumë njërit prej prioriteteve kryesore të shefit të ri të Shtëpisë së Bardhë: luftës kundër terrorizmit.

Përshkallëzimin e përpjekjeve ndaj Shtetit Islamik dhe ekstremistëve të tjerë të dhunshëm, Aleanca Veri-Atlantike e tregoi me çeljen e një qendre komande në Napoli.

Detyra e saj do të jetë përballja me sfidat në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, duke u fokusuar sidomos tek grumbullimi i informacioneve të inteligjencës dhe ngritja e kapaciteteve mbrojtëse në shtete problematike si Iraku dhe Libia.

“Nyja”, siç e quajnë ndryshe, do të përbëhet nga rreth 100 persona të cilët do të diktojnë kërcënimet potenciale në këto rajone shpërthyese. Pjesë e strategjisë së re të NATO-s do të jetë edhe mbikëqyrja me dronë, baza e të cilëve është aktualisht në Siçili.

Ekspertët e qendrës komanduese do të përfitojnë prej tyre informacione shtesë falë filmimeve të realizuara nga ajri. Donald Trump ka këmbëngulur vazhdimisht që NATO-ja ta kthejë kundër-terrorizmin në përparësinë e saj kryesore.

Lëvizjet e fundit nuk e përmbushin plotësisht këtë kërkesë, por aleatët e etur për të kënaqur Shtetet e Bashkuara shpresojnë që të paktën t’i shtojnë vetes ca pikë në sytë e Uashingtonit.

Një ditë më parë, gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes së Aleancës në Bruksel, shefi i Pentagonit, James Mattis, edhe pse e përshkroi fillimisht NATO-n si gurthemelin e bashkëpunimit trans-Atlantik, nuk ngurroi të kalonte në paralajmërime se:

“Amerika do ta zvogëlojë angazhimin e saj nëse vendet anëtare nuk përmbushin detyrimin për të shpenzuar minimumi dy për qind të Prodhimit të tyre të Brendshem Bruto në fushën e mbrojtjes”.