Diplomati i njohur evropian Erwan Fouere ka reaguar ashpër pas fjalimit të djeshëm të liderit të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski dhe ka kërkuar përjashtimin e Maqedonisë nga OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës.

“Kjo e çon krizën maqedonase në një nivel më të lartë të tensioneve, rrezikut dhe anarkisë. BE, SHBA-të dhe bashkësia ndërkombëtare duhet patjetër të reagojnë. Madje edhe suspendimi nga OSBE dhe Këshilli i Evropës duhet të merren parasysh”, ka shkruar irlandezi i cili vite me radhë drejtoi zyrën e BE-së në Shkup.

Reagimi i Foueres vjen pas fjalimit të mbrëmshëm të ish-kryeministrit maqedonas Gruevski, i cili tha se nuk do të pranojë asnjë rezultat zgjedhor ku partia e tij nuk del fituese, ndërsa akuzoi edhe ambasadorët e SHBA-ve dhe BE-së se po “përzihen në punët e brendshme” të Maqedonisë. Gruevski tha edhe se s’do të marrë pjesë në kurrfarë bisedimesh ku do të përzihen shtetet perëndimore./Gazeta Express/