Këshilli i Prokurorëve sot do të mbajë seancë në të cilën do të diskutojë për sjelljen e prokuroreve të Prokurorisë Speciale Publike (PSP), Katica Janeva dhe Fatime Fetai në seancën e rastit “shuplakat”.

Seanca e fundit e Këshillit të Prokurorëve për dënimin e prokuroreve speciale është anuluar.

Gjykatësja Tatjana Mihajllova, e cila e udhëheqë gjykimin për protestat e dhunshme në Komunë Qendër, në seancën e fundit, i ka dënuar prokuroret speciale me nga 2.000 euro për mos-respektim të Gjykatës. Arsye për këtë ka qenë se prokurorja Fetai ka  thënë se proces-verbali i seancës paraprake nuk ka qenë i sakt dhe nuk është shënuar plotësisht.

Prokurorja Janeva theksoi se jo vetëm Gjykata, por edhe PSP ka mekanizma me të cilat mund të përballet me sjelljet e këtilla të Mihajllovës, ajo shtoi gjithastu se “nuk kuptojmë pse lëndën do e dërgojnë në Këshillin e Prokurorëve, kjo është shumë qesharake, sepse fillimisht duhet ta dërgoj në Këshillin Gjyqësor”.

Rasti “shuplakat”

Në rastin “shuplakat”, të akuzuar janë 14 persona, prej të cilëve 5 persona si nxitës, kurse të tjerët akuzohen si ushtrues të drejtpërdrejtë të dhunës. I akuzuari i parë është ish kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, kurse si të akuzuar janë edhe ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski dhe këshilltarja e mëhershme e Komunës Qendër, Daniella Rangellova.

Sipas akuzës, Gruevski, dëgjohet në njërën nga “bombat” e LSDM-së duke e porositur Janakievskin që dikush nga partia “t’ua japë dy tre shuplaka”, kryetarit të Komunës Qendër, Andrej Zhernovski, dhe anëtarëve të Këshillit Komunal.