Këshilli nismëtar për thirrjen e një kongresi të jashtëzakonshëm të VMRO-DPMNE-së shtyu mbajtjen e kongresit të jashtëzakonshëm që ishte planifikuar për më 28 mars, njoftuan nga ky këshill, transmeton Portalb.mk.

“Këshilli Nismëtar për thirrjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm të VMRO-DPMNE-së, mbajti takim për të shqyrtuar përgatitjet për Kongresin të planifikuar për 28 mars në Shkup. Për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike dhe vonesës me përgatitjet teknike, Këshilli Nismëtar vendosi ta shtyjë Kongresin e caktuar. Këshilli iniciues do të informojë delegatët dhe publikun në kohën e duhur pasi të përcaktohet termini i ri”, theksohet në njoftimin.

Në javët e fundit, ky këshill nismëtar ka zhvilluar një betejë mediatike kundër udhëheqjes aktuale të VMRO-DPMNE-së, duke kërkuar dorëheqjen e liderit Hristijan Mickoski për shkak të humbjes së disa cikleve zgjedhore gjatë mandatit të tij si udhëheqës i partisë. Ata pretendojnë se kanë shumicë midis delegatëve në kongresin e fundit, që do të ishte e mjaftueshme për të thirrur kongres të jashtëzakonshëm, në të cilin do të kishin votuar dorëheqjen e Mickoskit.

Ndryshe nga ata, udhëheqja aktuale e VMRO-DPMNE-së mbetet në qëndrimin e tyre se pas këshillit nismëtar për thirrjen e kongresit të jashtëzakonshëm qëndron qeveria aktuale dhe Kryeministri Zoran Zaev. Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së në mes të shkurtit publikoi një dokument të nënshkruar nga deputetët aktualë në Kuvendin e RMV-së, të cilët i japin mbështetje udhëheqjes aktuale dhe liderit Hristijan Mickoski.