Sipas profesoreshës Zendeli-Bilalli, ligji për prokurorinë speciale është shumë i qartë, vetëm Katica Janeva mund të vendosë nëse ndonjë lëndë është në kompetencën e saj apo jo.

Kërkesën e saj për marrjen e lëndës së Sopotit Prokuroria Speciale e bazon në nenin 11 të Ligjit për Prokurorinë Speciale paragrafi dy i të cilit thotë qartë se pas kërkesës me shkrim Prokuroritë Publike obligohen që në afat prej 8 ditësh të dorëzojnë cilëndo lëndë ndaj të cilës veprojnë në mënyrë që të vendoset, nëse lënda bie në kompetencë të Prokurorisë Speciale në përputhje me autorizimet të caktuara në bazë të këtij ligji.

Reagimet e ekspertëve rreth rastit “Sopoti” u provokuan edhe nga refuzimi i autoriteteve përkatëse lëndën t’ia dorëzojnë Katica Janevës por edhe nga qëndrimi personal i kryetarit të Këshillit të prokurorëve, Petar Anevski se Prokuroria speciale nuk mund të jetë kompetente për këtë rast. Argumenti i tij ishte se rasti ka ndodhur para mandatit të Prokurorisë speciale i cili fillon nga viti 2008.

Ndërsa Prokuroria speciale kompetencën e saj e fiton nga përgjimet mes të cilave është edhe kjo bisedë e dëgjuar publikisht.

Për momentin nuk dihet kur do të vendosë Këshilli i prokurorëve për atë nëse Katica Janeva do ta marrë rastin. Mundet që kjo të ndodhë javën e ardhshme. Për shpërthimin e minës në Sopot ku mbetën të vrarë dy ushtarë polak të forcave të NATO-s dhe një shoqërues civil ishin dënuar 11 banorë të fshatit Sopot me mbi 150 vite burg. Edhe pse pas publikimit të dëshmisë për pafajësinë e banorëve të dënuar, ata në vitin 2010 u liruan nga burgu, ndërsa edhe sot e kësaj dite të akuzuarit për këtë rast janë duke u endur në gjykata percjell Alsat-M, transmeton FOL.