I zgjedhuri i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, për këshilltar të sigurisë kombëtare ka sugjeruar se Washingtoni duhet të përmirësojë marrëdhëniet e tij me Turqinë, duke ekstraduar një klerik të cilin Ankaraja e akuzon për përpjekje të grusht shtetit në muajin korrik.

Gjenerallejtënanti i pensionuar, Michael Flynn, ish-drejtor i Agjencisë së Inteligjencës, emërimi i të cilit u njoftua të premten, e përshkroi Fetullah Gylenin, në faqen e tij të blogut në gazetën The Till si një “mullah Islamik në hije që banon në Pennsylvania”, i cili “fsheh një agjendë radikale islamike”.

“Rrjeti global i Gylenit ka që të gjitha shenjat që përmbajnë përshkrimet për një rrjet të fjetur të rrezikshëm të terrorit. Nga pikëpamja e Turqisë, Washingtoni po e mban një Osama bin Laden të Turqisë” ka shkruar Flynn në ditën e zgjedhje. “Ne nuk duhet t’i ofrojmë atij një bazë të sigurt”.

Flynn ka thënë se ithtarët e Gylenit ishin donatorë të Fondacionit Clinton, një bamirësi globale që udhëhiqet nga familja e rivales demokrate të Trumpit, Hillary Clinton.

“Ka ardhur koha që ta shohim më mirë rëndësinë e Turqisë” ka shkruar ai. “Na duhet ta përshtatim politikën tonë të jashtme për ta pranuar Turqinë si prioritet. Ne duhet ta shohim botën nga perspektiva e Turqisë”.

Pas komenteve të Flynn, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan e ka cilësuar fitoren e Trump “si një epokë të re” të marrëdhënieve të Ankarasë me Washingtonin dhe ka shtuar kërkesën për ekstradimin e menjëhershëm të Gylenit, që prej zgjedhjeve të 8 nëntorit

Administrata Obama ka deklaruar se do t’ia lë Departamentit të Drejtësisë të vendos nëse ka baza ligjore për të përmbushur kërkesën e Turqisë për ekstradim, në një process që sipas gjasave është i gjatë dhe burokratik, dhe që ka frustruar Erdoganin.

Gylen asnjëherë nuk ka qenë i akuzuar për krime në SHBA dhe vazhdimisht ka kundërshtuar terrorizmin si dhe grusht shtetin e dështuar në Turqi, siç kanë bërë edhe shkollat dhe organizatat e bamirësisë të afërta me të.

Një avokat i Gylenit, Jason Weinstein i ka cilësuar komentet e Flynnit për Gylenin “shqetësuese” por ka shprehur besimin se SHBA-ja do të vazhdojë ta trajtojë këtë çështje në mënyrë të drejtë.

“Shpresojmë dhe presim që ligji të zbatohet dhe që politika të mos ndërhyjë në gjykimin e zyrtarëve të karrierës (Departamenti i Drejtësisë). Nëse zbatohet ligji, atëherë kemi besim se zoti Gylen nuk do të kthehet në Truqi, ku me siguri do të shndërrohet në objekt torture, të një gjykimi të padrejtë dhe ekzekutimit”, tha Weinstein.