Analisti dhe mbështetësi i Lëvizjes Besa, Kim Mehmeti ka komentuar zgjedhjet e fundit parlamentare dhe votimin e shqiptarëve për Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë, shkruan Telegrafi Maqedoni.

 

Këtë koment Mehmeti e ka bërë për portalin Dritare.net

”Zgjedhjet e 11 dhjetorit treguan se në Maqedoni populli është më i vetëdijshëm se partitë politike. Këtë në veçanti e dëshmuan shqiptarët, të cilët manifestuan mençuri të lartë politike si dhe guxim qytetarë që ta luftojnë rrugaçërinë dhe banditizmit partiak të BDI-së, që t’i luftojnë qendrat partiake që ishin mësuar me dhunë të marrin votën tonë, ata që merrnin ryshfet për ta punësuar shqiptarin, e që pastaj, atë ta konsideronin si votues të paguar, t’i luftonin pra ata që u tallën edhe me moralin e motrave tona, ata që votat tona ia dhanë DPMNE’së, që ajo të kishte me çka ta mbulonte antishqiptarin.”

”Andaj edhe mund të thuhet se këto zgjedhje shënojnë fundin e epokës së sundimit të BDI’së, e cila partizoi, kriminalizoi, akulturoi dhe degradoi thuajse çdo gjë të vlefshme që kishte shoqëria shqiptare në Maqedoni, me çka shqiptarët e këtushëm u dhanë shembull “Shqipërive” tona se ç’duhet bërë që ta shpëtosh vetveten nga partitë e ‘mëdha’ dhe të ‘forta’, që janë bërë pronare të popullit, të cilat e forcojnë vetveten, por duke e dobësuar shtetin dhe popullin.
Sa i përket fenomenit që shqiptarët të votojnë për një parti maqedonase edhe kjo është një e arritje e BDI’së së fortë, e cila votat shqiptare ia dorëzonte VMRO-DPMNE’së, që ajo më lehtë t’i realizonte projektet antishqiptare. Me çka i çoi shqiptarët të paguanin haraç të dyfishtë: një sunduesit maqedonas, e tjetrin vasalit shqiptarë – BDI’së. Andaj edhe u rrit numri i shqiptarëve të frustruar, të cilëve BDI’ja ua merrte haraçin e lirisë, e sunduesi maqedonas, atë të barazisë! Dhe kjo atyre ua mbushi mendjen se më mirë e kanë nën ‘ombrellën’ e ndonjë partia maqedonase se nën tutelën e partive shqiptare që u shërbejnë qarqeve policore e politike maqedonase.” ka thënë Mehmeti./Telegrafi/