Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në vitin 2023 do ta vendos në fokus mbajtjen në funksion të stacionit filtrues për ujëra të zeza në rrethin e fabrikës “Jugohrom” nga Jegunovci, ku sillen për t’u pastruar ujërat-shkarkimi nga deponia industriale me krom të rrezikshëm gjashtëvalent, të lokalizuar në afërsi të lumit Vardar në fshatin e Tetovës Jegunovc, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, në fund të dhjetorit deklaroi se në buxhetin shtetëror për vitin 2023 janë parashikuar mjete në lartësi prej 91,5 milionë denarë për funksionim të papenguar të stacionit filtrues, i cili kryen trajtim të ujërave të zeza nga deponia industriale e krijuar nga Jugohromi.

Meta.mk ka kërkuar përgjigje më të detajuara nga Ministria në lidhje me këtë pikë të nxehtë ekologjike në vend, gjatë së cilës kanë njoftuar se në vitin 2023 do të vazhdojë sanimi i shtresës në stacionin filtrues në fabrikën “Jugohrom”, ndërka do të publikohet edhe tender për mirëmbajtjen dhe servisimin e tërë pajisjeve në stacionin filtrues dhe stacionit të pompës në deponinë e lokalizuar në afërsi të lumit Vardar.

“Për mirëmbajtjen e stacionit filtrues në Jugohrom Alzar SHPK Jegunovc, si dhe për mirëmbajtjen e çdo stacioni filtrues kryesisht, janë të rëndësishme mjaft mjete financiare. Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, përpiqet maksimalisht në këtë pjesë, për shkak të rëndësisë së zvogëlimit të ndotjes historike në Jegunovc, jashtë edhe kompetencave të saja nga dispozitat e marrëveshjes për punë të vazhdueshme, të nënshkruar mes Ministrisë dhe kompanisë”, thonë nga kjo Ministri.

Më 6 korrik të vitit 2022 njoftuam se me rebalancin e buxhetit, janë siguruar mjete në vlerë prej 7,5 milionë denarë për përgatitjen e studimit për zgjidhje të përhershme të problemit me deponinë industrial në Jegunovc, me qëllim të mbrojtjes së burimit të Rashçes.

LEXO: Me mjete nga buxheti do të bëhet studimi për zgjidhjen e problemit me kromin gjashtëvalent në Jegunovc
Por, pak muaj më vonë u njoftua se në fakt janë siguruar 2.5 milionë denarë, dhe jo në 7.5, dhe këto mjete nuk kanë qenë të mjaftueshme për realizimin e aktiviteteve.

Portalb.mk dhe Meta.mk në disa raste, gjatë muajve të kaluar, ka shkruar për problemin me deponinë industriale në Jegunovc. Nga e gjithë deponia me një sipërfaqe prej 80.000 metrash katrorë, vetëm 11.000 metra katrorë janë të mbuluar me një shtresë mbrojtëse, e cila duhet të parandalojë depërtimin e kimikateve të rrezikshme në ujërat nëntokësore. Vlerësohet se në atë lokacion ka rreth 7.500 tonelata krom gjashtëvalent, që është një substancë kancerogjene dhe e rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisin jetësor.

Kromi gjashtëvalent nga deponia “Jugohrom” në Jegunovc mund të jetë rrezik edhe për burimin Rashçe, nga i cili furnizohet me ujë të pijshëm pothuajse i gjithë Shkupi. Përzierja e ujërave nëntokësore, të kontaminuara me mbetjet e deponiat dhe ujërave të masivit Gjeden, i cili furnizon kryeqytetin me ujë të pastër, është regjistruar si një rrezik potencial qysh para dy dekadash në hulumtimin e Drejtorisë për Hidrometeorologji.

Prania e kromit gjashtëvalent në ujërat që gravitojnë në drejtim të burimit të Rashçes është konfirmuar edhe në hulumtimin “Origjina e ujërave të burimit Rashçe dhe aspektet e mbrojtjes së tyre”, nga një grup profesorësh nga Fakulteti Teknologjik-Metalurgjik në Shkup, që u botua në vitin 2019 përmes Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM).

Për të kontrolluar shkarkimet nga deponia industriale në Jegunovc, në vitin 2003 është ndërtuar sistemi i kullimit (drenazhimit), me ç’rast shkarkimi nga deponia mblidhet me stacione parapompuese dhe përmes tubacioneve bartet në impiantin për trajtimin e ujërave të zeza, që gjendet në rrethin e fabrikës “Jugohrom”.

Ky do të ishte kushti ideal që duhet të parandalonte ndotjen e ujit nga deponia, por Meta.mk gjatë dimrit të kaluari shte në terren në Jegunovc dhe pa se uji me ngjyrën karakteristike të verdhë-portokalli dhe të kuqe të errët mund të shihet pranë stacionit të pompimit në deponi, që derdhet drejtpërdrejt në lumin Vardar. Në lokacion ndihet një erë e pakëndshme, ndërsa bimët që kanë ra në kontakt me ujin e ngjyrosur kanë ngordhur prej kohësh. Impianti për trajtimin e ujërave të zeza në “Jugohrom” është duke punuar, por jo me kapacitet të plotë për të trajtuar shkarkimet nga deponia.