Nën tingujt e himnit të Ligës së Kampionëve, futbollistët e Shkëndijës dhe Nomme Kaljus zbritën në fushën e gjelbër “Todor Proeski” për të zhvilluar ndeshjen kthyese për të siguruar kualifikimin për në garat evropiane, njofton Portalb.mk.

Ekipi nga Tetova, sot për herë të parë u paraqit me fanellën e parë të re për sezonin 2019/20. Gjithashtu kjo ishte edhe ndeshja e parë si vendas për Shkëndijën në rrugëtimin evropian për këtë sezon.

Por, nuk pritej që kjo do të jetë edhe ndeshja e fundit e Shkëndijës për këtë sezon në garat evropiane. Ekipi i cili si mysafir kishte fituar në Talin të Estonisë (0-1), tani si nikoqir humb me rezultat 1-2. Rezultat i cili e eliminon.

Pjesa e parë ishte një ndeshje pa aksione serioze për gol, duke e marrë parasysh vetëm golin në minutën 6‘, kur portieri Zahov gaboi, ndërsa Ugge shfrytëzoi gabimin e portierit duke shënuar me kokë, 0-1.

Ekipi i Shkëndijës vazhdimisht posedonte topin, por pa ndonjë aksion konkret për gol, aq sa në minutën e 20-të, nga distance, Shkëndija arrin të regjistron goditjen e parë drejt ekipit kundërshtar.  Kërcënimi më serioz ishte në minutën e 39‘, kur nga gjuajtja e lirë Besar Ibrahimi rezikoi portën, por portieri mysafir u tregua i kujdesshëm.

Në pjesën e dytë të ndeshjes, Shkëndija u tregua më kërkuese, duke fituar në minutën e 61’ me një penallti, pasi futbollisti mysafir Ugge preku topin me dorë. Si në ndeshjen e parë në Armeni, edhe në Shkup, Agim Ibrahimi penalltin e shndërroi në gol, 1-1.

Ky i fundit gjithashtu në minutën e 68’ arriti të godet shtyllën e portës kundërshtare, pas një gjuajtje të fortë nga distance.  Por fundi i ndeshjes, përsëri filloi të tregohet i paparashikueshëm, pasi sulmuesit e ekipit mysafir shpeshherë ishin afër shfrytëzimit të mundësive për shënim.

Në minutën e 90-të, kur të gjithë menduan se Shkëndija u kualifikua, sulmuesi mysafir Liliu e shfrytëzoi pakujdesinë e mbrojtjes së Shkëndijës dhe shënoi gol, 1-2. Pikërisht ky gol e eliminoi Shkëndijën nga garat evropiane.