Klubi i futbollit “Voska Sport” edicionin e ardhshëm do të garojë në Ligën e Parë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa Gostivarit i duhet vetëm edhe një barazim në dy lojërat e fundit.

“Përkundër barazimit 2:2 në derbin lokal ndaj Ohrid Lihnidos, skuadra jonë vitin tjetër do të garojë në Ligën e Parë, kjo falë disfatës së Vardarit në duelin përballë Teteksit. Pikërisht kjo disfatë e “kuqezinjëve” nga Shkupi, na mundësoi që dy xhiro para fundit të sezonit 2022/23 të realizojmë ëndrrën dhe të sigurojmë një vend për në Ligën e Parë”, informoi “Voska Sport”.

“Gostivari” që gjendet në pozitën e dytë, me fitoren e djeshme i afrohet Ligës së Parë, pasi ka pesë pikë më shumë nga vendi i tretë.

Në Ligën e Dytë kanë ngelur vetëm edhe dy ndeshje në sezonin 2022/23.

Ndryshe, ekipet tjera shqiptare që janë në ligën e parë janë: “Shkëndija”, “Shkupi” dhe “Struga”.