Publicisti nga Shkupi Abdylakim Mehmeti, i njohur më tepër me emrin e tij të letrave si Kim, i është bashkuar turmës frenetike të ikonoklastëve kundër Skënderbeut.

Në një shënim të shkurtër, ai paska thënë se «Mitet janë si stoli vezulluese dhe të shtrenjta, jo gjithmonë të bëra prej metali të çmuar…Të këtilla janë edhe mitet tona shqiptare, përfshi edhe atë për Skënderbeun…» (sic!).

Për t’i rënë shkurt një muhabeti të gjatë, çmitizimi e mitizimi janë komplementar me njëri-tjetrin.

Përshembull, R. Davies një biograf modern i prijësit uellsian kundër sundimit anglez, Owain Glyn Dŵr, vëren se mënyra si e kupton një shoqëri një hero të caktuar dhe njohja e historisë nga historianët largohen nga njëra tjetra. Sipas tij, dituritë e historianëve shpesh nuk mjaftojnë që t’i ndryshojnë imazhet e rrënjosura thellë.

Skënderbeu i rrëfenjave tona, të cilit i mvishej një brerore niçeane, ka pasur ndikim të hiçtë në Skënderbeun e Athanas Gegajt, Fan Nolit, Aleks Budës e në fund edhe Kristo Frashërit.

Imazhi i shumicës për Skënderbeun, shëmbëllimin përfytyrues të të cilit e përftuam o prej skulpturimit magjepsës të Odhise Paskalit o prej filmit të Sergjei Jutkeviçit, asnjëherë nuk ka ndikuar në domenin e studiuesve vendas apo të huaj.

Duke anashnxjerrë transparentin ideologjik të interpretimit, ‘Skënderbeu’ i Budës ishte i vërtetsishëm dhe në kongruencë me burimet historike e dokumentet relevante të erës kur jetoi «Dominus Albaniae».

Fryma vulgarizuese për të «çmitizuar» secilin derisa gjithçka të kthehet në një hiçnajë, pëlqen të mistifikojë gjërat sepse vetëm kështu përligjet «misioni» i saj.

Skënderbeu kthehet në mit vetëm dhe vetëm ateherë kur e kaluara shihet me tejqyrën e sotme, një lloj present-izmi ku idealet e sotme prapakthehen mekanikisht në një kuadër të caktuar historik.

Por, mitizimi dhe çmitizimi i Skënderbeut seç ka një ironi rrokakrejtëse.

Për shembull, asnjë historiografi (zogiste, enveriste, post-enveriste, por as e huaj madje) nuk ka arritur të përkapë përmasën e vërtetë të Skënderbeut. Në çdo rast, dhe si për inati të të gjithëve, ai është vetëm ashtu siç nuk e njohim asnjëri.

Ja një shembull marrafrymës: sipas Babingjerit, njërit prej biografëve më të njohur të sulltan Mehmet Pushtuesit, Skënderbeu në drimin e vitit 1466 gjatë qëndrimit në Romë nuk kishte para as për të paguar bujtinën ku po qëndronte (hostaria).

I zoti i bujtinës nuk e lejonte Skënderbeun dhe shpurën e tij të vogël që të dilte aty pa paguar. Dhe ishte vetëm ndihma e kardinalit të Shën Sistos, në një shumë prej 200 dukatësh, që mjaftoi të shlyhej borxhi për bujtinën dhe «Skënderbeu i pafan» (siç thonë arbëreshët) të kthehej në Arbëri pa kurrfarë mbështetje.

Ky episod, që nuk përmendet as në tekstet zyrtare dhe as në ato divulgative të historisë, jep një përmasë të jashtëzakonshme të heroit.

Paramendojeni një prijës që nuk kishte para as për të paguar një bujtinë në Romë, do të sfidonte Perandorinë Osmane në zenithin e fuqisë së saj, por edhe Venedikun dhe principatën e Brankoviçve ngatërrestarë!

Sipas vetë Schmitt-it, që shpesh tregohet edhe hiperkritik ndaj historiografisë skënderbegiane, Skënderbeu ishte poliglot, duke folur latinishten, osmanishten, sllavishten si dhe greqishten bizantine. Kaq gjuhë nuk i njohin as detraktorët e tij të shumtë të mbushur me një smirë të pakuptimtë!

Kancelaria e Skënderbeut me Pal Engjëllin dhe Dhimitër Frangun kishte aq shumë letërkëmbime me botën evropiane, sa nuk kanë sot as ministritë e Jashtme në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup.

Kush po e mitizon Skënderbeun tash?

Salih Mehmeti
Prishtinë