Telegrafi Maqedoni ka filluar të publikojë pasurinë e zyrtarëve të zgjedhur nga qytetarët shqiptarë në Maqedoni.

Këto tema do të jenë si pjesë e serisë me të cilën Telegrafi Maqedoni do publikojë në mënyrë transparente pasurinë e zyrtarëve të cilët vetë i kanë paraqitur pasuritë e tyre në Komisionin për Pengimin e Korrupsionit.

Si zyrtare e pestë të cilës Telegrafi Maqedoni do t’ia publikojë pasurinë është kryetarja e Komunës së Tetovës dhe nënkryetare e Bashkimit Demokratik për Integrim, Teuta Arifi e cila pasurinë e saj e ka paraqitur në këtë komision.

Zyrtarisht, Teuta Arifi ka pasuri prej: 13.544.600 denarë apo në kundërvlerë me euro: 220.237 euro.

Arifi përveç pasurisë ka edhe një kredi prej 50.000 eurove që duhet ta paguajë deri në vitin 2023 të cilin ajo e ka marrë nga viti 2013.

Duke e krahasuar pasurinë e Arifit me të kryetarit të saj, duket se Teuta Arifi është 1.6 herë më e pasur se Ali Ahmeti.

Teuta Arifi këtë pasuri e ka të ndarë në disa elemente, duke përfshirë këtu pesë banesa, dy vetura dhe një honorar vjetor të cilin e merr si ligjeruese në universitet.

Më poshtë, Telegrafi Maqedoni ju sjell në detaje pasurinë e kryetares së Komunës së Tetovës dhe nënkryetare e Bashkimit Demokratik për Integrim, Teuta Arifi.

-Banesë me 60 metër katrorë në Shkup, që kap vlerën prej 1.403.000 denarë apo në kundërvlerë me euro: 22.813 euro. Këtë banesë Teuta Arifi e ka blerë në vitin 1997 me një kontratë për shit-blerje.

-Banesë me 40 metër katrorë në Shkup, që kap vlerën prej 1.228.000 denarë apo në kundërvlerë me euro: 19.967 euro. Këtë banesë Teuta Arifi e ka blerë në vitin 2005 me një kontratë për shit-blerje.

-Banesë me 90 metër katrorë në Shkup që kap vlerën prej 2.772.000 denarë apo në kundërvlerë me euro: 45.073 euro. Këtë banesë Teuta Arifi e ka blerë në vitin 2006 me një kontratë për shit-blerje.

-Banesë me 90 metër katrorë në Shkup që kap vlerën prej 2.772.000 denarë apo në kundërvlerë me euro: 45.073 euro. Këtë banesë Teuta Arifi e ka blerë në vitin 2012 me një kontratë për shit-blerje.

-Banesë me 90 metër katrorë në Tetovë që kap vlerën prej 3.880.000 denarë apo në kundërvlerë me euro: 63.090 euro. Këtë banesë Teuta Arifi e ka blerë në vitin 2013 me një kontratë për shit-blerje.

-Veturë Chevrolet Captiva e vitit 2007 me vlerë prej 1.032.600 denarë apo në kundërvlerë me euro: 16.790 euro.

-Veturë Citroën Xsara e vitit 2001 me prej 427.000 denarë apo në kundërvlerë me euro: 6.943 euro.

-Teuta Arifi merr 30.000 denarë apo 487 euro honorarë si ligjeruese në universitet. Këtë honorar Arifi e merr për një vit akademik.
-Kryetarja e Tetovës ka një kredi prej 50.000 euro të cilin e ka marrë në vitin 2013 dhe ka afat për kthim deri në vitin 2023. Për këtë kredi, Arifi nuk ka shkruar bankën se ku e ka ngritur kreditin.

Teuta Arifi

Telegrafi Maqedoni ka kontaktuar edhe shefin e kabinetit të Teuta Arifit, Armend Fazliu për të dhënë deklaratë rreth pasurisë së kryetares së Komunës së Tetovës dhe nënkryetares së BDI-së. Pyetje është dërguar edhe tek emaili zyrtar i Departamentit për Marrëdhënie me publikun në këtë komunë.

Pyetjet që nuk kanë marrë përgjigje nga Komuna e Tetovës janë:

1. A ka ndryshuar gjendja e pasurisë nga momenti i publikimit? (Nëse po, të lutem na përditëso me informacione)
2. Si e ka arritur këtë pasuri?

/Telegrafi/