Skenari i ngjarjeve të 27 prillit vazhdon të jetë temë e analizave të mediave të vendit dhe atyre ndërkombëtare. Tani duket së është hapur pista e vërtetë e dyshimit, e cila përfshinë ndikimet e jashtme me qëllime gjeopolitike në rajon. Kjo u sforcua pas lajmit të publikuar nga gazeta KOHA dhe televizioni maqedonas Telma se, punëtori i lartë i sigurimit serb BIA, Goran Zhivaljeviç, ndryshe zyrtar i akredituar në Ambasadën e Serbisë në Maqedoni, është parë duke hyrë me turmën e njerëzve që shkaktuan incidentin në sallën numër tre të Parlamentit, ku e pësuan edhe disa deputetë. Këtë informacion e konfirmoi edhe vetë agjenti Zhivaljeviç, i cili në deklaratë për TV Telma, është mbrojtur nën pretekstin se aty ka qenë për të vëzhguar nëse në ato ngjarje është i përfshirë ndonjë shtetas serb!

I MASKUAR ME FLAMURIN MAQEDONAS

Goran Zhivaljeviç, natën e 27 prillit ka hyrë në Parlamentin e Maqedonisë diku pas orës 20. Ky është pikërisht moment kur edhe turma e kryesuar nga njerëzit e maskuar futen brenda dhe drejtojnë masën e tërbuar të qytetarëve për në sallën numër 3, ku qëndronin disa deputetë të shumicës së re parlamentare. Nuk ka të dhëna për përfshirjen direkte të tij në sulmet ndaj deputetëve Ziadin Sela dhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, mirëpo habit fakti se diplomati serb ka bërë një fotografi “selfie” në sallën plenare të Parlamentit i “veshur” me flamurin e Maqedonisë dhe duke “festuar” me protestuesit tjerë. Por, ajo që hedh dyshime mbi mundësinë e përfshirjes së tij në ngjarjet e dhunshme është kontakti i kahmotshëm i tij me personat e maskuar. Burime të gazetës KOHA pohojnë se Zhivaljeviç ka kultivuar kontakte me spektër të gjerë njerëzish në Maqedoni, me theks të veçantë njerëz të nëntokës, të afërt me partitë maqedonase në vend.

INTERESI RUS

Burimet tonë flasin se shumica e këtyre grupeve radikale-nacionaliste maqedonase janë ndihmuar dhe financuar nga qendra të caktuara serbe. Emëruesi i përbashkët i tyre është angazhimi për të penguar hapërimin e Maqedonisë drejt anëtarësimit në NATO. Kjo përputhet me interesat ruse në rajon, ku zakonisht serbët paraqiten si vegla të tyre për arritjen e këtyre qëllimeve gjeopolitike. Një tentim i ngjashëm ishte regjistruar vitin e kaluar në Malin e Zi, ku në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare, organet e sigurisë së këtij shteti, të ndihmuar edhe nga shërbimet e vendeve mike, arritën të zbulojnë një grup të madh prej mbi 20 shtetasve serbë, të cilët kishin planifikuar marrjen me dhunë të pushtetit nga Milo Gjukanoviç, i cili fitoi në këto zgjedhje. Interesante është të theksohet se ky grup kryesohej nga gjenerali kontrovers serb, Bratisllav Dikiç, i cili vite me radhë kishte qenë komandant i xhandarmerisë serbe. Burime nga hetuesia në Mal të Zi kanë siguruar dëshmi të mjaftueshme se koka e këtij operacioni gjendej në Moskë, sepse janë vërtetuar kontaktet e dy agjentëve të Shërbimit sekret rus me krerët e këtij grupi. Gjithashtu, hetimet kanë zbuluar edhe qarkullimin e mjeteve financiare nga bankat në Moskë në xhirollogarinë e personave të përfshirë, ndërsa gjatë arrestimit janë zbuluar edhe bankënota të valutave perëndimore të lëshuara nga bankat e Moskës. Përveç kësaj, edhe njëri nga të dyshuarit kryesorë, Aleksandar Singjeliç, ka pranuar përfshirjen në këtë skenar në këmbim të lirisë së tij. Këtë shembull e kanë përcjellë edhe disa të akuzuar tjerë, të cilët janë liruar pasi kanë bashkëpunuar me hetuesinë e Malit të Zi.

ZONA RUSE NË BALLKAN

Në qershor të vitit të kaluar, në Moskë është organizuar një takim me qëllime anti-NATO, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të serbëve nga Serbia, Republika Srpska, Mali i Zi, Bullgaria dhe Maqedonia. Burimet e gazetës KOHA thonë se në organizimin e këtij takimi ka marrë pjesë edhe agjenti serb Goran Zhivaljeviç, ndërsa përfaqësues nga Maqedonia ka qenë lideri i Partisë Demokratike të Serbëve, Ivan Stoiljkoviç, i cili ka pasur kontakte me agjentin në Ambasadën e Serbisë, Goran Zhivaljeviç. Në këtë takim është nënshkruar iniciativa ruse për krijimin e një zone neutrale ushtarake në Ballkan. Pas publikimit të këtij lajmi nga gazeta KOHA dhe televizioni Telma, në opinion është prononcuar edhe vetë i apostrofuari Stoiljkoviç, i cili duke dashur të ironizojë me dy redaksitë, ka pranuar takimin dhe qëllimin e tij.

Edhe në rastin e Malit të Zi, por edhe në rastin e Maqedonisë, politika ruse nuk i ka fshehur interesat e veta në rajon. Qëllimi final i tyre është që Bosnja (Republika Srpska), Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia, të mbeten jashtë ombrellës së NATO-s. Elementi kryesor rus për këtë qëllim është Serbia, e cila nuk dëshiron anëtarësimin e vendit në këtë aleancë. Jorastësisht, partneri rus në rajon ka vepruar në shtimin e ndikimit edhe në vendet fqinje me Serbinë. Rasti i dështuar me Malin e Zi, por edhe skenari me Maqedoninë natën e 27 prillit, tregon angazhimin serioz nga jashtë për destabilizimin e këtij rajoni. Ngjarjet në Parlamentin e Maqedonisë, sipas skenaristëve, është dashur të provokojnë konflikt ndëretnik të përmasave më të gjëra, me ç’rast do të aktivizohej arsenali ushtarak i vendit. Ky skenar u pamundësua për shkak se mungoi reagimi spontan i shqiptarëve në mbrojtje të deputetëve të tyre, por edhe falë fatit deputetit shqiptar Ziadin Sela, i shpëtoi më të keqes, edhe pse ishte rrahur dhe lënë për të vdekur.

ROLI I DYSHIMTË I SIGURIMIT TË SHTETIT

Hetimet e deritashme tregojnë se Maqedonia nuk ka vullnet të hetojë shkaqet e vërteta të ngjarjeve të 27 prillit. Akuzimi dhe pastaj lirimi me kusht nga Gjykata Penale në Shkup i gjithë personave të dhunshëm në Parlamentin e Maqedonisë, tregon qartë për indikacionet në përfshirjen e strukturave të caktuara të sistemit të sigurisë në ngjarjet e 27 prillit. Kamerat e sigurisë në Parlamentin e Maqedonisë kanë regjistruar edhe pjesëtarë të Sigurimit të Shtetit dhe Agjencisë së Zbulimit, të pranishëm atë natë në Parlamentin e Maqedonisë. Pas identifikimit të një pjesë të tyre nga mediat, kanë pasuar reagimet nga shefat e tyre, të cilët në media brifuan informacione se ata kanë qenë me detyrë të caktuar. Më interesante është shpjegimi i Agjencisë të Zbulimit (AZ), prej nga liferuan lajmin se punëtorët e tyre kanë qenë me detyrë për të vëzhguar lëvizjet e agjentit serb Zhivaljeviç. Kjo nuk përputhet me natyrën e punës së tyre, pasi pjesëtarët e AZ-së nuk bëjnë përcjelljen e personave të dyshimtë, por kjo punë u takon agjentëve të Drejtorisë për Sigurim dhe Kundërzbulim (DSK). Edhe nga kjo e dyta, atë natë kishte të punësuar, të cilët u arsyetuan se gjoja aty kanë qenë me urdhër të shefit të tyre për të përcjellë situatën. Kur kemi parasysh përfshirjen aq të madhe të personave zyrtarë, por me misione të dyshimta atë natë në Parlamentin e Maqedonisë, imponohet nevoja për një hetim serioz që do të zbulonte skenarin e vërtetë të dhunës natën e 27 prillit. Mirëpo, kjo nuk do të ndodhë, së paku jo gjatë kësaj qeverie në largim.

MASKAT

Kafeteria “DION”, e cila gjendet në qendrën tregtare të Shkupit, është vendi ku fshihen shumë përgjigje për natën kritike. Aty më parë kanë qëndruar shumica e personave, të cilët u futën të maskuar në hapësirat e Parlamentit. Policia ka tentuar të grumbullojë materialet e regjistruara nga kamerat e sigurisë në afërsi të këtij objekti, por si zakonisht, shumica e tyre “nuk kanë funksionuar” në atë moment. Megjithatë, nga një objekt i afërt i pajisur me kamerat të sigurisë, hetuesit kanë siguruar materialet e duhura, por deri tani nuk kanë pasur guximin të veprojnë në mënyrë adekuate dhe profesionale. Sipas këtyre incizimeve, para nisjes për në Parlamentin e Maqedonisë, aty parkohet një veturë nga e cila personave që gjendeshin në pritje në kafeterinë e përmendur, u ndahen maska. Burime për gazetën KOHA kanë pohuar se shumica e personave që më vonë janë parë të maskuar në Parlamentin e Maqedonisë, dalin nga ky objekt, maskohen dhe nisen drejt parlamentit. Pjesa dërmuese janë identifikuar, por për momentin – mungojnë masat ndaj tyre. Burimet tona kanë pohuar për gazetën se në mesin e tyre ka punëtorë të organeve maqedonase të sigurisë, por edhe shumë njerëz të nëntokës, një pjesë e të cilëve njihen edhe për kontakte me agjentin serb Goran Zhivaljeviç.

BEOGRADI ZYRTAR

Si në rastin me Malin e Zi, ashtu edhe në rastin e dhunës në Parlamentin e Maqedonisë më 27 prill, qëndrimi i zyrtarëve në Beograd është se “ne s’kemi lidhje”. Në rastin e parë, mbrojtja e Beogradit ka qenë se gjenerali Dikiç është i pensionuar në Serbi, ndërsa në rastin e agjentit serb, Zhivaljeviç, si presidenti i sapozgjedhur serb Vuçiç, ashtu edhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç, kanë dalë me pohimin se “ai s’ka shkelur Ligjin, pasi s’ka bërë asnjë vepër penale”. Sipas tyre, agjenti i BIA-s ka qëndruar në Parlament duke vëzhguar situatën prej brenda. Për ta relativizuar rolin e spiunit të tyre, ata kanë bërë edhe krahasime me përfshirjen e qytetarëve nga Maqedonia në protestat për rrëzimin e Aleksandar Vuçiçit në Serbi. Se ky tentim i tyre për shfajësim është joserioz tregon fakti se Zhivaljeviç është diplomat i akredituar në Maqedoni dhe hyrja e tij është e pautorizuar në hapësirat e Parlamentit të Maqedonisë natën kritike, ndërsa personat që ata i marrin për krahasim, janë dhe qytetarë të thjeshtë që s’kanë statusin e diplomatit.

SERBIA KËRCËNON ME RECIPROCITET

Informatat e gazetës KOHA thonë se ky skandal i krijuar gjatë kësaj përbërje qeveritare në largim, do të vazhdojë dhe do të bartet edhe në Qeverinë e ardhshme reformatore. Mandatari Zoran Zaev, para takimit në Bruksel me presidentin serb Vuçiç, u kishte thënë mediave se do të kërkojë llogari për aktivitetin e agjentit serb në Parlamentin e Maqedonisë, por pas takimit – ai ndryshoi qëndrimin, duke thënë se kjo çështje do të diskutohet mes dy shërbimeve sekrete. Sipas informatave tona, Aleksandar Vuçiç nuk e ka ndërmend të tërheqë zyrtarin e vet nga ambasada serbe në Shkup. Ai pret që nëse pala maqedonase vendosë dëbimin e tij, shteti serb të përgjigjet në mënyrë reciproke duke dëbuar një diplomat maqedonas nga Serbia. Ky qëndrim i fortë serb ka bërë që edhe mandatari maqedonas të hezitojë në marrjen e një veprimi të tillë, mirëpo duke pasur parasysh peshën e këtij skandali diplomatik, faktorin ndërkombëtar, por edhe rolin e partnerëve të tij shqiptarë në Qeverinë e ardhshme, duket se Zaev do të jetë i detyruar ta dëbojë diplomatin serb.

“TIRANSKA PLATFORMA”

Gjatë gjithë muajve të kaluar, opinion i vendit u terrorizua me të ashtuquajturën “Platforma e Tiranës”. Kjo propagandë, e cila ushqehej nga media të afërta me pushtetin, por edhe me instalimet proserbe në mediat tjera, kishte për qëllim orientimin e ndjenjave nacionaliste të maqedonasve kundër kërkesave politike të shqiptarëve, duke krijuar kështu një hapësirë të lirë për veprim dhe organizim të qetë të grupeve proserbe dhe proruse për të penguar transferin e qetë të pushtetit. Duke aktualizuar teoritë për “fajtorët kujdestarë shqiptarë” dhe orientimin e tyre properëndimorë, kjo propagandë fuqizoi sentimentin anti-perëndimor dhe pro-rus si asnjëherë më parë te qytetarët maqedonas. Sipas kësaj logjike funksionoi edhe presidenti Ivanov, i cili pandërprerë kërkonte garanca se uniteti i vendit nuk do të rrezikohet nga “Platforma e Tiranës”. Tani kur në sipërfaqe po del platforma e vërtetë, agjenda proruse-serbe për ardhmërinë e Maqedonisë, që është gatuar nga jashtë dhe është përbirë nga shumë struktura politike në vend, përfshirë edhe nga vetë presidenti Ivanov, reagimi i tij nga ky rrezik për përcaktimet strategjike të vendit drejt NATO-s dhe BE-së nuk shfaqet askund. Ai duket se nuk e ka ndërmend ta mbledhë Këshillin e Sigurimit Kombëtar dhe të debatojë për këto elemente të përfshirjes nga jashtë në krizën politike në vend, duke lënë të kuptojë përcaktimin e vërtetë të tij për ardhmërinë e vendit. Mund të supozojmë se cili do të ishte reagimi i tij në rast se ky skandal me diplomatin serb, do të ndodhte me ndonjë diplomat shqiptar. Shprehur figurativisht, Serbia është ulur këmbëkryq në mes të Shkupit, ndërsa në prehër mban udhëheqësit më të lartë të politikës maqedonase. Kjo situatë do të jetë vështirë të tejkalohet edhe me Qeverinë e re, sepse pasojat e deritashme nga kjo propagandë kanë ulur ndjeshëm disponimin e maqedonasve për anëtarësim në NATO dhe BE. Rreziku i ndikimit rus si në Maqedoni, ashtu edhe në Mal të Zi dhe rajon, do të mbetet i madh edhe në të ardhmen shkaku i shumë ithtarëve të kësaj politike, por edhe i angazhimit të vazhdueshëm të Moskës dhe Beogradit për pengimin e procesit të integrimit të rajonit në strukturat euroatlantike.