Klinika private “Zhan Mitrev” ka kërkuar sot zhbllokimin e xhirollogarive të tyre, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Funksionimi dhe xhirollogaritë e Klinikës Zhan Mitrev janë ende të bllokuara pasi Gjykata Penale, vetëm një ditë para seancës së parë të caktuar, ka marrë aktgjykim me vendim për bllokimin e plotë të xhirollogarive të spitalit, ndërsa prokurorja deklaroi se nuk ka përqëllim të bllokojë spitalin dhe operacionet aktuale. Në këtë rast, nëse prokurorja thotë se nuk ka ndërmend të bllokojë spitalin dhe operacionin aktual, le të kërkojë zhbllokimin e xhirollogarive. Klinika Zhan Mitrev do të ofrojë pronë si garanci”, thuhet në njoftimin e Klinikës.

Ata shtojnë se është krejtësisht i pabazuar arsyetimi i Gjykatës Penale se janë bllokuar xhirollogaritë e personave juridikë që nuk janë në interes të klinikës.

“Përkundrazi, me masat e marra dëmet i pëson funksionimi i Spitalit Zhan Mitrev, i cili është një organizatë shëndetësore me interes publik. Mirëpo, Klinika Zhan Mitrev edhe në këto rrethana dhe nën presion të tillë, me xhirollogari të bllokuar, vazhdon të punojë me pacientët e saj dhe trajtimi i asnjë pacienti nuk do të vihet në dyshim”, thonë nga Klinika