Dy vite që nga krijimi qeveria e Maqedonisë së Veriut që nga dje ndodhet në krizë të madhe për shkak të përplasjeve midis BDI-së dhe LSDM-së, dy anëtarëve kryesor të koalicionit në krye me Zoran Zaevin.

BDI dhe LSDM ndodhen në përplasje të madhe për shkak të emërimit të punëtorit të vjetër të agjensionit për zbulim, Erold Musliu, në postin e drejtorit të të njëjtit shërbim nga ana e kryetarit të shtetit Stevo Pendarovski, shkruan Zhurnal.mk.

Pendarovski e emëroi Musliun në konsultim me kryeministrin Zoran Zaev dhe pa lejen e BDI-së.

Musliu më herët kishte punuar në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, DSK, (e udhëhequr më parë nga Saso Mijalkov i VMRO-DPMNE-së), ndërsa në vitet e fundit në Agjencinë për Zbulim, e cila është kompetencë e kryetarit të shtetit, e deri para pak ditësh ishte në duart e Gjorge Ivanovit.

Pakënaqësinë nga radhët e BDI-së sot e ka shprehur zëvendës-kryeministri Bujar Osmani. BDI e kundërshton ngjitjen e Musliut në krye të këtij agjensionit për dy arsye.

E para, ka të bëjë me dyshimet se Musliu ka qenë i përfshirë në falsifikimin e disa dokumentacioneve të shërbimit të fshehtë të ish-Jugosllavisë, kur nga shërbimi maqedonas kishin qarkulluar dokumentacioni kinse Ali Ahmeti, Musa Xhaferi dhe Fazli Verliu paskan qenë të rekrutuar nga UDB-ja dikur.

Në vitin 2010 nëpër Maqedoni këto pretendimi qarkulluan kinse dokumentacione (të foto-kopjuara kinse) të emëruara “Mama”, “Daja” dhe “Ibar”

Komisioni për verifikimin e fakteve më pas së bashku me DSK-në i patën hedhur poshtë këto pretendime enigmatike pas hulumtimeve të bëra dhe i kishin pastruar emrat e të tre anëtarëve të lartë të BDI-së. Që të dy këto trupa konkluduan se ishte fjala për falsifikime dhe se nuk ekzistojnë dokumente origjinale me pretendime të këtilla për Xhaferin, Ahmetind dhe Veliun.

Por, sot Osmani foli vetëm për arsyen e dytë të protestës ndaj vendimit të Pendarovskit për Musliun, të cilin më parë edhe Gjorge Ivanov pat tentuar që ta bëjë drejtor të agjensionit të zbulimit.

Zëdhënësi i BDI-së i përsëriti dyshimet e mëhershme të BDI-së se Musliu dhe pjestarë të tjerë agjencionit të zbulimit nën kontrollë të Ivanovit, do të kenë mund qenë ndër shkaktarët e ngjarjes së rëndë të Kumanovës, në maj të vitit 2015, kur një grup prej 40 vetash kishte hyrë në qytet i armatosur dhe pati dy ditë të shtëna armësh midis tij dhe policisë së vendit.

“…qëndrim i BDI-së është se derisa nuk zbardhen deri në fund ngjarjet e Kumanovës, asnjë njeri i cili ishte pjesë e shërbimeve të atëhershme nuk duhet të jetë në krye të institucioneve të tilla të ndjeshme. Për këtë presim se në këtë periudhë presidenti do të mbledhë më shumë informacione dhe do të reflektojë në lidhje me vendimin e tij”, u tha Bujar Osmani sot gazetarëve në Shkup.

Anëtarë të tjerë të lartë të BDI-së, thanë sot për Zhurnal.mk se informacionet nga kjo parti thonë se disa agjentë të agjensionit të zbulimit të udhëhequr nga Ivanovi, e në mesin e tyre edhe Erold Musliu, dyshohet se kanë qenë të përshirë në “manipulimin” e këtij grupi për të shkaktuar incidentin e rëndë të Kumanovës.

Kjo është përplasja e parë e madhe midis BDI-së dhe LSDM-së dhe ndodhë vetëm dhjetë ditë pasi që Pendarovski u ulë në karrigen e kryetari të vendit për pesë vitet e ardhshme.

Në të njëjtën kohë përplasja bëhet edhe më e madhe sesa që mund të duket në sipërfaqe, sepse ajo me fjalë të tjera thotë se në çështje të ndjeshme dhe të rëndësishme që kanë të bëjnë me sigurinë e brendshme të vendit janë maqedonasit, përkatësisht partitë politike maqedonase, ata të cilët vendosin.

Njëjtë ishte në kohën e qeverisjes me VMRO-DPMNE kur kjo parti nuk kishte nevojë për votat e BDI-së për të formuar qeverinë, e njëjtë tash po ndodhë edhe me LSDM-në e cila ka nevojë për votat e shqiptarëve për të formuar dhe mbetur në qeveri.

Pesha e kësaj përplasje shtohet edhe më tej nga fakti se jo vetëm BDI, por edhe krejt partitë e tjera në qeveri, e më pak ato në opozitë, u mobilizuan dhe e ndihmuan Zaevin që Pendarovski të fitojë zgjedhjet për postin e ri.

BDI dhe partitë e tjera shqiptare kanë të drejtë që të ndjehen të tradhtuara nga Zaevi dhe Pendarovski.