VMRO DPMNE dhe BDI vazhdojnë të përgënjeshtrojnë njëra tjetrën lidhur me çështjet e dakorduara në negociatat 20 ditëshe që nuk rezultuan me koalicion qeveritar. Nikolla Todorov nga VMRO DPMNE-ja nuk pohoi por as nuk mohoi nëse VMRO DPMNE-ja ka pranuar zyrtarizimin e gjuhës shqipe,  duke theksuar se më i rëndësishëm është fakti se partia e tij nuk arriti të bëjë koalicion me BDI-në. Ai për Tv Telma përgënjeshtroi funksionarët e BDI-së, sipas të cilëve Prokuroria Speciale Publike ishte e vetmja çështje për të cilën nuk u morën vesh.

Kjo është tërësisht e pasaktë. Pika e parë për të cilën u dakorduam me BDI-në ishte pikërisht Prokuroria Speciale Publike. Në fund të ditës ajo që ka rëndësi është se VMRO DPMNE-ja dhe BDI-ja nuk arritën të merren vesh dhe nuk arritën të bëjnë koalicion – deklaroi Nikolla Todorov, VMRO DPMNE.

Ndërsa Izet Mexhiti nga BDI deklaroi se VMRO DPMNE-ja kishte pranuar zyrtarizimin e gjuhës shqipe, njësoj si LSDM-ja, ndërsa koalicioni me VMRO DPMNE-në nuk u arrit për shkak të qëndrimeve diametralisht të kundërta për Specialen dhe Ligjin për dëshmitarët e mbrojtur.

 Pra nuk shoh dallime ndërmjet ligjit që është dakorduar me VMRO-në dhe LSDM-në. Por për ta qetësuar Gruevskin është konform intervistës që e ka dhënë ai, që d.m.th. gjuha shqipe të mos jetë zyrtare edhe në Strumicë ku nuk ka asnjë shqiptar – tha Izet Mexhiti, BDI.

Dispozitat kushtetuese dhe ligjore e përkufizojnë shqipen si gjuhë që e flasin së paku 20%, ndërsa njihet si  gjuhë e dytë zyrtare pos maqedonishtes. Partitë politike shqiptare nga partneri i ardhshëm i koalicionit qeveritar, LSDM kërkojnë që çështja e shqipes të saktësohet, në mënyrë që si e tillë të zbatohet./Alsat-M/