Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë vendimtare për formimin e Qeverisë së re. Në këtë përbërje janë gjithsejt 33 deputetë shqiptarë nga partitë BDI, ASH – AA, BESA, PDSH dhe nga LSDM.

Por këta nuk janë unikë dhe sërish pritet të negociojnë të ndarë për formimin e koalicioneve qeveritare. I pari që do të marrë nismën për formimin e Qeverisë është lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, e cila fitoi në zgjedhjet e 15 korrikut, përcjell INA.

Zaev tha se do të nis bisedimet dhe se koalicionimi mund të jetë me BDI, por edhe me ASH – AA, por ai duke përmendur si kushtëzim evitimin e retorikës nacionaliste. Zaev tha se nuk mund të marrësh kryeministrin me 15 deputetë, e me këtë i dërgoi porosi BDI-së.

Ndërkohë, PDSH është partia e parë shqiptare që filloi bisedimet me LSDM për formimin e koalicionit qeveritar.

“Neve na u ofru mundësia për të qenë pjesë e Qeverisë së ardhshme nga kryetari i LSDM-së Zoran Zaev. Ne si parti e pranuam ftesën, janë formuar grupet punuese që do t’i udhëheqë sekretari i partisë bashke me sekretarin e LSDM-së. Do të bisedojmë gjatë ditëve të ardhshme për mundësitë për të qenë pjesë e qeverisë së ardhshme. Sot ishte takimi i parë vetëm kemi biseduar ndërsa për detaje do t’i saktësojnë grupet punuese në të ardhmen”, deklaroi sekretari gjeneral i PDSH-së, Azem Sadiku.

Megjithatë, BDI e cila ka 15 deputetë dhe me LSDM e PDSH e arrin numrin prej 62 deputetëve për formimin e Qeverisë po heshtë lidhur me atë se kanë filluar bisedimet për formimin e përbërjes së re parlamentare.

“Tani mund të fillojnë bisedimet por që akoma është herët për koalicionin dhe se ende nuk ka diçka konkrete në lidhje me bisedimet.”, theksoi kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti.

Kryetari i ASH-se, Ziadin Sela theksoi se akoma nuk kanë nisur bisedimet për formimin e qeverisë së re pasi ende nuk dihet mandatari. Sipas tij, do të ishte e shëndoshë për gjithë shoqërinë në vend që BDI-ja të shkojë në opozitë pas 18 viteve qeverisje.

Kreu i Alternativës, Afrim Gashi pas seancës konstitutive të Kuvendit deklaroi se nga kjo parti presin që fillimisht të caktohet mandatari e më pas të shohin opsionet për përfshirje në ekzekutiv. Gashi theksoi se bisedimet eventuale për përfshirje në qeveri do të zhvillohen si koalicion, bashkërisht me Aleancën për Shqiptarët.

Deputeti i lëvizjes Besa dhe i koalicionit “Mundemi” të udhëhequr nga Zoran Zaevi, Kastriot Rexhepi në një prononcim pas konstituimit të Kuvendit, tha se ende nuk ka asgjë konkrete rreth koalicioneve për formimin e shumicës së re parlamentare. Por, ai u shpreh se Kuvendi i ri duhet të punojë në drejtimin që vendi të ecë në rrugën evropiane, duke lënë për të nënkuptuar se koalicioni i ri qeverisëse do të jetë me ato forca politike që mbështesin eurointegrimet.

Nga ana tjetër, edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski nuk e përjashton mundësinë që disa deputetë të koalicionit të LSDM-së të mbështesin programin e partisë së tij. Siç tha ai, VMRO-DPMNE në periudhën e ardhshme do të përpiqet të formojë një shumicë parlamentare të ndërtuar mbi filozofi politike, e jo mbi tregti politike. (INA)