Ndryshimet në Kodin penal në të cilat përfshihet edhe dënimi i sulmeve ndaj gazetarëve dhe nëpunësve mediatik si sulm ndaj personit zyrtarë janë në procedurë parlamentare por askush nuk dinë të thotë se kur do të miratohen. Nga Kuvendi sqarojnë se propozim/ndryshimet e Kodit penal janë pjesë e seancës plenare 51, ku ka edhe pika për të cilat partitë politike kanë mosmarrëveshje. Alsat pyeti koordinatorët e dy grupeve më të mëdha parlamentare, atë të drejtuar nga LSDM-ja dhe atë nga VMRO-DPMNE-ja, megjithatë asnjëri prej tyre nuk konfirmoi nëse ka ose jo konsensus për ndryshimet në fjalë, ose nëse kanë vërejtje të cilat do të kërkojnë të implementohen nëpërmjet amendamenteve.

Nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, të cilët kanë qenë palë e konsultuar gjatë përpilimit të propozim/ndryshimeve nga ana e Ministrisë së Drejtësisë sqarojnë se kanë pasur një takim me kreun e Kuvendit Talat Xhaferi, ku u është thënë se ndryshimet do të vendosen në rend dite. SHGM-ja nuk ka marrë konfirmim nëse ndryshimet do të bëhen para ose pas zgjedhjeve. Kuvendi pritet të pezullojë punën gjatë fushatës zgjedhore e cila do të fillojë nga data 27 shtator. Seanca do të ketë vetëm në raste të jashtëzakonshme.

Për propozim/ndryshimet në Kodin penal në korrik njoftoi ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq. Ai tha se me këto ndryshimet sigurohet mbrojtje më e madhe e nëpunësve mediatik dhe ulen dënimet ndaj gazetarëve dhe mediave për shpifje dhe ofendime. Ndryshimet e propozuara në Kodin penal parashikojnë edhe mbrojtje më të madhe për gratë meqë Kodi përshtatet me Konventën e Stambollit dhe gratë parashikohet të mbrohen nga sulmet, shqetësimet dhe përndjekjet në internet./Alsat/