Kollitja është një refleks i shpejtë tek njeriu dhe shumë kafshë për të pastruar fytin dhe hapur rrugën e frymëmarrjes nga pjesëzat e huaja, si: mukusi, mikrobet, ngacmuesit etj.

Kolla është një ekspulsion i shpejtë i ajrit prej mushkërive. Kollitja mund të jetë e vullnetshme ose e pavullnetshme.

Çfarë është kolla?

Nëse dikush kollitet shumë, kjo është shenjë e një sëmundjeje. Me kollën shpërndahen mikrobet tek njerëzit e tjerë. Në shumicën e rasteve kollashkaktohet nga infeksionet virale ose bakteriale të traktit të frymëmarrjes.

Kolla mund të shkaktohet edhe nga: a) Ndotja e ajrit prej gazrave, b) Nga refluksi stomak-ezofagut (në rastet kur kthehen mbrapsht lëngjet nga stomaku dhe ezofagu për në bronket), c) Në bronkitet akute dhe kronike, nga tumoret në mushkëri, nga tumoret në bronke, nga paaftësia e punës së zemrës, nga duhanpirja etj. Disa substanca, si dhe tymi i duhanit, poleni, disa prodhime mjekësore etj. mund të ngacmojnë mbaresat nervore dhe provokojnë kollën.

Klasifikimi i llojeve të kollës

Kollë akute: Kjo është një kollë e menjëhershme, që zgjat zakonisht tre javë.

Kollë gjysmë akute: Kjo lloj kollë vazhdon apo zgjatet për 3-8 javë.

Kolla kronike: Kjo lloj kollë vazhdon për mbi tetë javë.

Kolla produktive: Kollë me shumë sekrecione apo gëlbazë.

Kollë e thatë: Një kollë që nuk ka sekrecione/gëlbazë.

Kollë e natës: Shfaqet vetëm gjatë natës.

Kolla ndihmon të evitohet infektimi i mushkërive. Kur kolla zgjatet, ajo mund të shkaktojë shqetësime, si: dhimbje të gjoksit, lodhje, dhimbje koke dhe ndonjëherë humbje të kontrollit të urinimit.

Kolla gjithashtu mund të ndikojë mbi gjumin, takimet në shoqërinë dhe pengon në punë.

Një kollë akute zgjat më pak se tre javë. Shkaqet e zakonshme të një kolle akute janë rrufa ose infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, pneumonia ose “kolla e mirë” (pertusi). Astma karakterizohet me vështirësi në frymëmarrje. Ajo është një sëmundje e gjatë e mushkërive, që skuq, enjt (fryn) dhe ngushton rrugët e frymëmarrjes (shiko figurën);

Mënyra më e mirë e mjekimit të kollës është të trajtosh shkaqet e saj. Kështu, mënyra më e mirë për të trajtuar astmën është të ndikosh në zgjerimin e rrugëve të frymëmarrjes.

Cilat janë shenjat e infektimit të bronkeve apo bronkiti akut?
Bronkiti është një shfaqje e zakonshme nga i cili vuajnë miliona njerëz: të moshuarit dhe fëmijët. Këta të fundit janë në rrezik të preken nga bronkiti akut më rëndë sesa moshat e tjera.

Bronkiti akut zakonisht shkaktohet nga një infeksion që pason një rrufë ose një grip: me skuqje të fytit, lodhje, ethe, dhimbje trupi, kullim të hundëve, të vjella, ndonjëherë edhe diarre.

Shenja kryesore e bronkitit akut është kolla e vazhdueshme, e cila mund të vazhdojë 10-20 ditë. Kolla mund të prodhojë mukus të qartë. Nëse mukusi është i verdhë ose jeshil, atëherë kemi të bëjmë me një bronkit të infektuar me bakterie.

Edhe pasi infeksioni të shërohet, kolla e thatë vazhdon derisa të rigjenerohet mukoza e bronkut, që kërkon disa ditë ose javë.
Shenja të tjera të bronkitit akut përfshijnë: “fërshëllimën” gjatë frymëmarrjes, ethe të lehta ose dhimbje gjoksi. Nëse bronkiti akut është i rëndë, ju mund të keni shkurtim të frymëmarrjes, sidomos gjatë aktiviteteve fizike.
Bronkiti akut në imazhe

Në figurë duken mushkëritë dhe tubat bronkiale. Në figurë duket një bronk normal (sipër) dhe i infektuar (ai poshtë). Tubi i inflamuar përmban më shumë mukus sesa mban zakonisht.
Faktorët që e rrisin rrezikun e bronkitit akut, janë infeksionet. Duke përfshirë tymrat, pluhurat dhe ajri i ndotur. Evitimi i këtyre ngacmuesve të mushkërive ndihmon në pakësimin e bronkiteve akute. Shumica e bronkiteve akute përmirësohen shpejt, pas disa ditëve. Sidoqoftë, duhet kujdesi i mjekut për të shmangur pasojat serioze për shëndetin.

Bronkiti kronik

Shenjat e bronkitit kronik përfshijnë kollën, fërshëllimën dhe dhimbjet e gjoksit.Kolla mund të prodhojë sasi të mëdha mukusi. Kjo lloj kolle është quajtur edhe “kolla e duhanit”.
Në rastet e bronkitit kronik, kemi inflamacion të tubit bronkial. Bronkiti kronik ka një ecuri serioze. Ai ndodh nëse mukoza e bronkut ngacmohet vazhdimisht dhe inflamohet duke shkaktuar kollë kronike me mukus. Duhanpirja është shkaku kryesor i bronkitit kronik.

Viruset ose bakteret mund të infektojnë më lehtë bronket e irrituara. Nëse kjo ndodh, gjendja përkeqësohet dhe zgjatet. Bronkiti kronik është një gjendje serioze që zgjatet. Diagnoza e hershme dhe mjekimi, të kombinuara me ndërprerjen e duhanit, e tymrave apo pluhrave mund të përmirësojnë gjendjen e të sëmurit dhe cilësinë e jetës. Shanset e shërimit komplet janë të ulta për ata me bronkite të rënda kronike.

Njerëzit e çdo moshe mund të zhvillojnë bronkite kronike, por zakonisht ato shfaqen më shpesh në njerezit me moshë mbi 45-vjeçare. Gjithashtu, shumë adulte, që zhvillojnë bronkite kronike, janë duhanpirës. Kontaktet me pluhrat, tymrat kimike dhe avujt, nga profesioni i tyre, e rrisin riskun për t’u prekur. Shembuj janë punëtorët në minierat e qymyrit,manifakturat e tekstilit, në fermat e kuajve etj.

Trajtimet

Trajtimet e kollës varen nga shkaqet që e shkaktojnë atë. Nëse kolla është akute, atëherë trajtimi është i thjeshtë dhe mund të kalojë në mjediset e shtëpisë me përkujdesjet e ambientit familjar. Nëse kolla është më e rëndë ose kronike, kërkohet mjekimi nga mjeku, sigurisht me mjete, sipas rastit, që mund të kryhen në shtëpi.

Këto mjekime kërkojnë ambjentin e shtëpisë me mjekime herbale për të zbuturkollën etj., me pika mentol etj., që ndihmojnë për të pastruar rrugët e frymëmarrjesnga irritantët, mjete që zbusin rrugët e frymëmarrjes, si mjalti etj.

Ka shurupe për kollën me tipe dhe lloje të ndryshme në farmaci, për funksione të veçanta. Disa janë barna organike ose herbale. Duhet të kemi parasysh që këto barna, kur përdoren për fëmijët, duhet të mos përmbajnë alkool. Individët me hipertension arterial, të përdorin barna të veçanta specifike për ata.

Mjekimet anti-alergjike

Ka disa medikamente të përshtatshme që merren një herë në ditë, të cilët “pakësojnë” përgjigjen imune të trupit ndaj alergjeneve.

Mjekimet me avull

Këto bëhen me aparate (ose me një enë që valon) që e rrisin nivelin e lagështirës në ajër dhe e bëjnë ajrin më të përshtatshëm për të zbutur mukozat e bronkeve.

Disa përdorin ajrosje të ngrohta, disa të tjerë përdorin mikstura të tjera. Ka mjekë që rekomandojnë avuj të ftohtë ose rekomandohen avujt sipas preferencës personale. Disa individë preferojnë avuj të ngrohtë, disa duan mikstura të ftohta.

Vendosjet lokale në gjoks

Për të lehtësuar dhimbjet në gjoks dhe kollën vendosen pece me mentol në gjoks. Këto janë veçanërisht lehtësuese për kollën gjatë natës, për të lehtësuar gjumin. Në shumicën e rasteve kolla pastron veten dhe qetësohet po vetë, pa medikammente. Por disa herë ato janë të mërzitshme dhe mund të jenë shkak për anksietet ,prandaj ato duhet të trajtohen dhe të ndërpriten.

Kur duhet të konsultohet mjeku

Individët që ndiejnë ndonjë nga shenjat që pasojnë, duhet të konsultojnë mjekun sa më shpejt që të kenë mundësi:

Kolla e vazhdueshme që zgjat shumë.

 Ethe, dhimbje, kollë me gjak ose mukus, vështirësi në frymëmarrje, shtrëngime në gjoks, fërshëllimë gjatë frymëmarrjes, enjtje në fytyrë.

 Kur kolla përkeqësohet, sidomos kur ju shtriheni.

 Çdo lloj kolle tek një fëmijë nën tre muaj etj.

Trajtime

Mjalti: Ai e mbulon fytin duke pakësuar ngacmimin e tij dhe, si pasojë, ka më pak kollë. Mjalti është diçka si demulgent (zbutës).

Shurupe kundër kollës: Ka disa lloje shurupesh që ndikojnë në lehtësimin e kollës. Disa prej tyre janë organike ose të nxjerra nga bimët. Duhet të jeni të kujdesshëm kur përdoren për fëmijët që të mos përmbajnë alkool dhe që doza të jetë e përshtatshme për moshën; gjithashtu, kujdes edhe për ata që vuajnë nga presioni i lartë i gjakut.

Ekspektorantët: Këto shurupe shkëpusin nga trakea, bronket dhe mushkëritë, mukusin dhe materialet e tjera. Një shembull është guaifenesina (guaiphenesin), e cila e hollon mukusin dhe lubrifikon traktin respirator të irrituar, duke lehtësuar drenimin e tij nga mushkëritë.

Zbutjet lokale: Mentoli ka veprim lokal që të lehtësojë apo të zbusë kollën. Ky është veçanërisht më efektiv natën, kur duhet të flemë.

Antibiotikët duhet të përdoren sipas konsultës mjekësore, kur ka kollë me sputum të verdhë ose jeshil, me temperaturë dhe shenja të tjera të një infeksioni mikrobik./Shendeti +