Sami Ukshini i njohur si komandant Sokoli sot në Gjykatën Penale ka kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të ushtrimit të dhunës nga njësitet policore speciale gjatë transportimit nga burgu drejt gjykatës.

Ai ka thënë se ka nevojë ndihmë urgjente mjekësore dhe se autoambulancat menjëherë  janë nisur drejt gjykatës.

Ai tha se së bashku me gjithë të tjerët nuk është në gjendje të mire shëndetësore dhe kanë probleme të mëdha, nga dhuna dhe maltretimi mizor që ushtrohet nga policia, gjegjësisht nga burg deri tek gjykata. Siç mësohet transportimi i tyre po bëhet nga njësitet speciale “Tigrat” dhe pjesëtarë të tjerë, të cilët mizorisht sillen ndaj grupit në autoblinda, duke i maltretuar skajshmërisht.

Avokatët kanë dhënë alarmin për këtë që po u ndodhë dhe se kanë kërkuar zbardhjen e menjëherëshme të këtyre skandaleve të ushtrimit të dhunës. Pas kësaj pritet të anulohet seanca gjyqësore, pasi që të akuzuarit nuk janë në gjendje të qëndrojnë në gjykatë. Edhe javën e kaluar u shtye procesi për shkak se nuk ishin në gjendje të mire shëndetësore katër të akuzuar të tjerë. (INA)