Koment i Redaksisë

Me afrimin e javës së fundit të fushatës parazgjedhore partitë politike hyjnë në fazën më të nxehtë të saj, për të paraqitur para çdo qytetari platformat dhe programet e tyre politike. Karavanet e partive politike janë munduar të paraqesin platformat e tyre politike për zgjedhjet e 11 dhjetorit, ku në veçanti, nga Rilindja me Besë në platformën e saj me qytetarët e ka përqendruar në Redifinimin e shtetit, për të cilët zotohen se kjo platformë është e vetmja shpresë për shtetin.

Ndërkaq, nga “Aleanca për Shqiptarët” theksin e platformës së saj e kanë përqendruar në Shtetin binacional, që do të thotë barabartësi e plotë mes dy komuniteteve më të mëdha mes shqiptarëve dhe maqedonasve në shtet.

Nga ana tjetër, BDI theksin e platformës së saj kanë përqendruar në integrimin e vendit në strukturat evro-atlantike!!!?ndërsa nga PDSH theksin e platformës së tyre e kanë shpalosur para qytetarëve për Marrëveshjen e re politike, pra amnisitimin fiskal për të gjithë qytetarët. Krahasimisht, platformat e partive politike para qytetarëve në këto zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare për 11 dhjetor, duhet analizuar mirë, pasi besimi në një prej këtyre platformave do të varet edhe vetë ardhmëria e gjeneratave të reja.

Platformat dhe programet e partive politike duhen parë si një mundësi e mirë për të vendosur mbi fatin e gjeneratave të reja, dhe deri tani, asnjë prej partive politike që kanë qenë në pushtet platformat e tyre nuk janë jetësuar, por më shumë i kanë shërbyer interesit vetjak.

Qytetarët e kanë në dorë t’i analizojnë platformat e partive politike dhe të vendosin mbi një program më të kapshëm për interesin e popullit, i cili jo vetëm që do të premtohet, por dhe që do të realizohet në të mirë të qytetarit. Me 11 dhjetor vendi do të gjendet përballë nje testi, ku ose do të kthehet dinjiteti i të gjithë qytetarëve, ose do të kthehet vendi drejt izolimit.