Reformat në arsim janë një “materie e gjallë” dhe një proces që nuk përfundon kurrë. Edhe në vendet me standard më të lartë arsimor në Evropë dhe në botë, bëhen reforma të vazhdueshme arsimore, si parakusht për avancimin e cilësisë së arsimit. Gjithë këto reforma të mirëfillta rezultojnë me gjenerata të kalitura deri në maksimum, të cilat janë plotësisht të gatshme të ruajën tempon zhvillimore të vendeve të tyre dhe të ngrisin në nivel më të lartë traditën e suksesshme shekullore.

Reforma arsimore proklamohen dhe premtohen vazhdimisht edhe në Maqedoninë e Veriut. Mirëpo nga reklama që u bëhet në opinion këtyre reformave, e deri tek zbatimi i vërtetë i tyre në procesin mësimor, dallimi është shumë i madh. Ose siç thotë fjalia popullore: Nga e thëna në të bërë, një mal i tërë.

Realiteti e dëshmon këtë konstatim. Një hulumtim i bërë para dy tre viteve, për shembull tregoi, se nxënësit në Maqedoninë e Veriut kanë nivel njohurish arsimore sa nxënësit në vendet evropiane që janë dy tre gjenerata më të vegjël, shkruan Zhurnal. Për shembull: nxënësit e klasës së nëntë tek ne, kanë nivel njohurish sa nxënësit e klasës së pestë ose të gjashtë në vendet skandinave. Raporti nuk është shumë më i mirë as në krahasim me vendet tjera të Evropës. Kot është trumbetuar me të madhe Kembrixhi, është trumbetuar Oksfordi, Bolonja e Molonja, por rezultate nuk ka.

Jo se këto koncepte mësimore që i përmendëm nuk janë të mira, por faji qëndron tek sistemi arsimor tek ne dhe tek mungesa e gatishmërisë për reforma.

E kur jemi tek reformat, tek ne ka filluar të zbatohet një proces unikat reformues, i cili nuk ekzisston në asnjë vend të Evropës, e ndoshta as në Kolumbi e Meksikë.

Bëhet fjalë për reforma aq “rrënjësore”, sa që afër shkollës në fshatin Drasllajcë të Strugës do të lëshojë rrënjë një fabrikë e marihuanës, kurse afër çerdhes “Rinia” në Tetovë ka filluar të “lëshojë rrënjë” një kazino. Pushteti në Maqedoninë e Veriut di duket është dorëzuar në përpjekjet për të reformuar arsimin për së mbari, tani dëshiron të zhvillojë reforma në drejtim të kundërt. Duket se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka ardhë në përfundim se më lehtë është të arsimohen gjenerata që prej në moshë të vogël do të “nxjerrin bukën” nëpër kazino dhe nga marihuana, se sa të lodhen 20 vite duke u arsimuar për t’u bë mjekë, profesorë, fizicientë, kimistë, apo në lëmi tjera.

MASH-i në Maqedoninë e Veriut sikur ka vendosur të lirojë gjeneratat e reja nga kornizat e fjalës së urtë të Naim Frashërit: “Punë, punë natë e ditë, që të shohim pakës dritë”. Sikurse MASH dëshiron të ndryshojë këtë maksimë, duke u siguruar gjeneratave të reja më pak punë por më shumë dritë edhe natën edhe ditën, nëpër kazino që shkëlqejnë nga dritat shumëngjyrëshe.

Kazinot janë bë një dukuri që po përhapen si këpurdhat mas shiut. Më e keqja është se në kërkim të fitimit, kompanitë dhe pronarët e kazinove nuk zgjedhin as vend e as hapësirë adekuate. Ndërtohen pranë shkollave, pranë spitaleve, pranë çerdheve, e gjithandej ku vlerësohet se do të kenë fitim më të madh.

Rasti i fundit është kazino që po përgatitet të hapet afër çerdhes “Rinia” në Tetovë, deri sa institucionet kompetente po heshtin.

Në vend se shtetit të rreullojë ligjërisht që kazinot të jenë sa më larg këture institucioneve të ndjeshme, prindërit e fëmijëve dhe sektori civil edhe një erë janë të detyruar të organizohen që të të pengojnë hapjen e kazinos pranë institucionit parashkollor. Po përdoret një strategji përmes së cilës po luhet vazhdimisht me durimin dhe kondicionin e tyre për të kundërshtuar këtë dukuri, deri sa një ditë të lodhen dhe të dorëzohen, shkruan Zhurnal.

Pr/ligji për lojërat e fatit i cili ndalon hapjen e kazinove dhe bastorave në afërsi të institucioneve arsimore dhe publike zvarritet prej kohësh. Ndërkaq, ky është rasti i dytë që në Tetovë, po hapen kazino në afërsi të objekteve shkollore. E para ishte ajo tek Universiteti i Tetovës, e cila u bllokua përmes protestave.

Rast edhe më eklatant kemi në Strugë. Banorët e disa fshatrave të kësaj komune janë të shqetësuar pasi vetëm 100 metra larg shkollës fillore në fshatin Drsllajcë ku mësojnë fëmijët e tyre po ndërtohet fabrikë për marihuanë.

Prindët me të drejtë thonë se kanë frikë nga droga deri sa shkolla është 50 metra larg.dhe parashtrojnë pyetjen se çfarë mbrojtje do të kenë fëmijët e tyre që mësojnë në afërsi prej 50 apo 100 metrave.

A do të tregojnë institucionet kompetente mirëkuptim për brengat e këtyre prindërve mbetet të shohim, sepse në këtë shkollë fillore mësojnë rreth 150 fëmijë nga tre fshatrat e Strugës, Drsllajcë, Moroishtë dhe Llozhan.

Mirëpo një pjesë e dëmit tani veçmë është bërë dhe jo vetëm që duhet të ndalohet ndërtimi i fabrikës së marihuanës, por edhe ata që kanë dhënë leje duhet të japin së paku përgjegjësi morale, sepse përgjegjësi penale rrallë herë jepet në Maqedoni nga ata që bëjnë gabime.

E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për kazinon në Tetovë, me qëllim që qytetarët të mos shqetësohen më në të ardhmen me tentime për hapje të kazinove afër institucioneve arsimore.///Zhurnal