Pas vendimit të djeshëm të qeverisë për hapjen e të gjitha vendkalimeve kufitare, qytetarët e Maqedonisë dhe të huajt do të mund të lëvizin pa probleme, pa pasur nevojë t’i nënshtrohen një testi PCR për coronavirus dhe pa u detyruar të qëndrojnë në vetizolim ose karantinë shtetërore.

Vendimi u mor nga qeveria në një seancë të martën, pas së cilës kryeministri Oliver Spasovski tha se nuk ishte një vendim politik, të cilin shumë e kanë lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas tij, vendimi për hapjen e kufijve është marrë pas të gjitha analizave epidemiologjike dhe sipas mendimit të dhënë nga Komisioni për Sëmundje Infektive.

Sa i përket hapjes së aeroporteve, ajo duhet të ndodhë më 1 korrik. Komisioni për Sëmundje Infektive njoftoi të hënën se do të bëjë një inspektim përfundimtar në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, si dhe në Aeroportin e Ohrit, me qëllim të plotësimit dhe zbatimit të plotë të protokolleve dhe masave mbrojtëse para fillimit zyrtar.