Kovid-19 ka ndikuar në mënyrën e furnizimit, tregtimit dhe blerjes së ushqimit, duke sjellë rreziqe të reja ose të ndryshme që duhet të merren parasysh për të siguruar sigurinë e ushqimit në çdo kohë.

Mari Keni, nëpunëse për sigurinë e ushqimit dhe mbrojtjen e konsumatorit nga Zyra Rajonale e FAO-së për Evropën dhe Azinë Qendrore, më 7 qershor – Dita Botërore e Sigurisë së Ushqimit, e shpallur nga KB-ja në vitin 2018, flet për mënyrën se si FAO i ndihmon vendet e rajonit në këto përpjekje.

Cilat çështje specifike të sigurisë ushqimore janë shfaqur në Evropë dhe Azinë Qendrore për shkak të pandemisë KOVID-19?

Kur filluan masat e mbylljes, dy shqetësimet kryesore të para ishin: a do të transmetohet virusi përmes ushqimit dhe a do të ketë ushqim të mjaftueshëm në dispozicion për të gjithë? Organet shkencor kërkimore të njohura globalisht kanë treguar që nuk ka prova që ushqimi mund të transmetojë virusin.

Ndërkohë disa industry u mbyllën, industria ushqimore ishte ndër ato që duhej të vazhdonin të punonin për aq kohë sa lejonte situata. Në disa vende, operatorët ushqimorë ishin të shqetësuar se disa përbërës ose lëndë të para do të jenë të padisponueshme ose do të shterojnë, ose se personeli kryesor nuk do të jetë në gjendje të punojë për shkak të masave shëndetësore kufizuese. Disa nga shqetësimet e autoriteteve ishin shpërndarja e ushqimit të pasigurt si rezultat i ndryshimeve në skemat e furnizimit, shitja e ushqimit në kushte joigjenike dhe mashtrime me ushqimet.

PandeMEDIAL nënvizon rëndësinë e zbatimit të parimeve të mira sanitare, të higjenës personale dhe praktikave të vendosura të sigurisë ushqimore për të mbajtur të sigurt zinxhirin e furnizimit të ushqimit, me një theks të veçantë në Ditën Botërore të Sigurisë së Ushqimit këtë vit. Nevoja për një komunikim dhe bashkëpunim efektiv midis të gjithëve në zinxhirin ushqimor (akademisë, qeveriasë, prodhuesve, operatorëve, konsumatorëve) për të parandaluar rreziqet dhe për të minimizuar rreziqet është bërë edhe më e dukshme.

Njerëzit po kërkojnë informacion konfidencial – i cili në rastin e sigurisë ushqimore, vjen nga autoritetet kombëtare dhe organizatat ndërkombëtare. A mund të na jepni disa shembuj nga rajoni?

Autoritetet kanë një rol kryesor për të informuar konsumatorët në lidhje me praktikat që duhet të ndiqen gjatë kësaj pandemie, si dhe të punojnë me industrinë ushqimore për të siguruar një furnizim të vazhdueshëm të ushqimit të sigurt. Shumë vende kanë krijuar uebfaqe informuese dhe udhëzime të përbashkëta në lidhje me KOVID-19 për prodhuesit e ushqimit, importuesit, sektorin e ushqimit dhe konsumatorët. Disa shembuj janë Norvegjia, Hungaria dhe Turqia, të cilat kanë zhvilluar udhëzime specifike për sektorët e ushqimit, akuakulturës dhe blegtorisë, ndërsa Irlanda ka krijuar një faqe në internet me pyetje të bëra shpesh dhe një linjë konsulence për këshilla përmes postës elektronike. Autoritetet Rumune kanë organizuar video-konferenca për shitësit me pakicë dhe restorantet ushqimore për t’i informuar ata për masat e nevojshme për rihapjen dhe prodhimin e sigurt, përgatitjen, shpërndarjen dhe shërbimin e ushqimit dhe si të trajnojnë stafin e tyre për praktikat dhe planet e përgjithshme të higjienës dhe planet për dezinfektim. Maqedonia e Veriut ka publikuar këshilla dhe rekomandime praktike për biznes operatorët ushqimorë për të parandaluar përhapjen e virusit te stafi dhe konsumatorët, së bashku me miratimin e masave për rrjedhën e sigurt dhe të pandërprerë të ushqimit, mallrave dhe bagëtive dhe rekomandime për blerje të sigurt të ushqimit në treg edhe përmes Internetit. Në nivel global, FAO dhe OBSH kanë dhënë udhëzime për sigurinë e ushqimit gjatë KOVID-19 për autoritetet përgjegjëse për sigurinë e ushqimit, operatorët ushqimorë dhe konsumatorët.

Cilat shprehi kanë ndryshuar dhe cilat janë implikimet për sigurinë e ushqimit?

Të gjithë duhej të përshtaten. Shumë njerëz kanë filluar gatimet më shpesh në shtëpi dhe kanë ndryshuar mënyrën e blerjes së ushqimit, për shembull, kanë kaluar në dërgesa ushqimore në shtëpi dhe blerje perms internetit, kur restorantet dhe kafenetë ishin të mbyllura. Kjo nënvizon rëndësinë e ndërgjegjësimit të konsumatorit për përdorimin e praktikave të sigurta të ushqimit. Shumë filluan të blinin ushqime nga burime lokale ose direkt nga fermerët. Prandaj, bizneset e vogla të ushqimit duhet të informohen dhe të praktikojnë praktikat e sigurisë ushqimore. Ekzistojnë gjithashtu metoda inovative për zvogëlimin e mbeturinave të ushqimit përmes bankave ushqimore dhe platformave elektronike që lidhin furnizuesit me klientët dhe konsumatorët. Bizneset ushqimore dhe kapacitetet prodhuese duhet të investojnë në dezinfektimin dhe higjienës sanitare, vendosën rregulla për distancimin fizik dhe pajisjet mbrojtëse për stafin. Sa për kontrollet zyrtare, Norvegjia, për shembull, ka rritur përdorimin e çertifikatave elektronike për kontrollet e importit në produktet shtazore dhe bimore dhe ka përgatitur një vlerësim të shpejtë të rrezikut për rritje të mundshme të kontrabandës së ushqimit gjatë pandemisë, e cila gjithashtu synon për të parandaluar shitjen e paligjshme të produkteve në internet që reklamohen në mënyrë të rreme si produkte që parandalojnë ose mjekojnë COVID-19.

Disa nga këto shprehi të reja ka të ngjarë të vazhdojnë. Çfarë mund të presim në fushën e sigurisë ushqimore në të ardhmen e afërt dhe çfarë nënkupton kjo për rregullatorët e ushqimit dhe autoritetet?

Unë e di që autoritetet e sigurisë ushqimore në të gjithë rajonin po shqyrtojnë në mënyrë aktive ndikimet e mundshme në sigurinë e ushqimit dhe po përshtaten me mënyrën e funksionimit të tij, pasi kufizimet në lëvizje dhe puna në distancë ndikojnë edhe tek stafi i tyre. Duke balancuar personelin me nevojën për të ruajtur sigurinë dhe integritetin e zinxhirit të furnizimit me ushqime dhe duke mbështetur tregtinë ndërkombëtare, rregullatorët e sigurisë ushqimore duhet t’i japin përparësi shërbimeve kryesore gjatë pandemisë dhe ndoshta të zvogëlojnë disa aktivitete rutinë. Përvoja me pandeminë KOVID-19 mund të inkurajojë përdorimin e shtuar të teknologjive të informacionit për sigurinë e ushqimit, siç janë certifikimi elektronik, bazat e të dhënave dhe përdorimi i shtuar i dokumentacionit elektronik. Disa ndryshime në zinxhirin e furnizimit të ushqimit ka të ngjarë të vazhdojnë edhe pas pandemisë, siç është porosia në internet, tregtia elektronike, e cila do të sjellë rreziqe të reja për sigurinë e ushqimit dhe sfidat që duhet të analizohen mirë dhe adresohen në mënyrë të duhur. Këtu thelbësore do të jenë, ndjekja dhe shkëmbimi i informacionit, gjenerimi i të dhënave dhe analizat. Pavarësisht rritjes së shitjeve në internet të ushqimit, bizneset ushqimore do të vazhdojnë të përshtaten dhe madje të ndryshojnë modelet e tyre të biznesit, për shembull, nga restorantet në shërbime për shprëndarjen e ushqime të gatshme. Ndërsa masat kufizuese zvogëlohen, bizneset ushqimore do të rifillojnë të gjallërohen dhe do të përshtaten me normalitetin e ri, duke zbatuar masa për distance fizike, higjienë sanitare dhe mbrojtjen e shëndetit të stafit të tyre, që do të jenë pjesë e rutinës së tyre të përditshme.

Çfarë po bën FAO në rajon?

FAO mbështet masa që sigurojnë vazhdimësinë e zinxhirëve të furnizimit, në mënyrë që njerëzit të kenë qasje në ushqim të sigurt dhe ushqyes gjatë një pandemie. Kjo përfshin mbështetjen e vendeve për të vlerësuar ndikimet afatshkurtra dhe afatmesme, duke ofruar udhëzime për politikat bujqësore dhe sistemet ushqimore që theksojnë sigurinë e ushqimit, organizimin e uebfaqeve tematike, lehtësimin e mësimit të ndërsjellë dhe shkëmbimin e praktikave të mira.