Edhe pse u premtua, në rrugën “Industriale” në Tetovë pas heqjes së pengesës e cila ishte vendosur në mënyrë jo të duhur, e njëjta është zëvendësuar me një pengesë të vogël prej gome e cila gjithashtu duket se nuk kryen punë. Edhe pse ekskavatori qëndron në këtë rrugë për më shumë se 1 muaj, ende nuk është bë ndarja fizike e rrugës, sinjalizimi vertikal, dhe as shënimi i vizëbardhave, shkruan Portalb.mk.

Kanë kaluar më shumë se një muaj nga protestat e banorëve të lagjes “Industriale” në Tetovë, nga Komuna e Tetovës atëherë pranuan të gjitha kërkesat e tyre, kështu duke ju premtuar se për një afat të shkurtër do të fillojnë punët.

Cilat ishin kërkesat e protestuesve?
Vendosur pengesa për zhvillimin e shpejtësisë.
Duke e ndarë fizikisht të gjithë rrugën industriale dhe të lihet hapësirë për kalim nga njëra anë në anën tjetër vetëm nëpër vendkalimet ekzistuese.
Duke i ngritur vendkalimet për këmbësorë në nivel me të lartë se asfalti, me sinjalizim vertikal dhe horizontal, si dhe duke i ndriçuar ata gjatë natës.
Të shqyrtohet nga organet kompetente edhe çështja e mbikalimit te shkolla Kirili dhe Metodi.
Prej kërkesave të lartpërmendura, vetëm e para është plotësuar edhe atë me disa probleme, për shkak se fillimisht u vendos një pengesë jo adekuate e cila krijonte probleme për vozitësit në atë rrugë, më pas e njëjta u zëvendësua me një pengese gome më të vogël.

Të kontaktuar nga Portalb.mk, organizatorët e kësaj proteste nuk përjashtuan mundësinë e riaktivizimit të protestave në rast se gjatë këtij muaji, kërkesat e tyre nuk realizohen.

Çfarë premtoi kryetarja Arifi se do të realizoje në këtë rrugë?

Teuta Arifi
Ndarjen fizike mes 2 drejtimeve të qarkullimit në “Industriale”
Vendosja e sinjalizimit vertikal plotësues
Shënimi i vizëbardhave në vendkalimet për këmbësorët
Vendosja e pengesave në rrugë (2)
Aktualisht banorët përreth kësaj rruge vazhdojnë të jenë të rrezikuar për shkak se shumica e punëve që u premtuan nuk janë realizuar ndërsa një ekskavator i cili është vendosur aty për ndarjen fizike të rrugës, qëndron në atë rrugë megjithatë nuk punon.

Ndryshe, rikujtojmë se këto premtime të kryetares Teuta Arifi erdhën pas protestave të banorëve të kësaj lagje, të cilat u nxitën si pasojë e aksidentit tragjik në këtë rrugë ku humbi jetën një vajzë 6 vjeçare. Aksidentet në këtë rrugë janë të shpeshta ndërsa deri tani, autoritetet komunale me vetiniciativë nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për të mënjanuar këtë.