Koncerti tradicional i Vjenës, i cili jepet për festën e Vitit të Ri, e që mbahet më 1 janar, vjen edhe në Tiranë, menjëherë të nesërmen, përkatësisht më datën 2 janar.

Këtë e ka konfirmuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një statusi të publikuar në faqen e vet në Facebook, duke bërë me dije se ditën e dytë të vitit të ri, pikërisht më 2 janar, Tirana do jetë nikoqire e këtij koncerti madhështor. 

Ky projekt, të cilin kryeministri shqiptar e cilëson si një ëndërr të bërë realitet, po realizohet falë bashkëpunimit me violinistin shqiptar, Shkëlzen Doli.

“Koncerti i Vjenës në Tiranë! Një ëndërr bëhet realitet, falë një bashkëpunimi që kurorëzohet pas një përpjekjeje jo të vogël së bashku me Shkëlzen Dolin. Më 2 janar vjen në Tiranë (të nesërmen e Vjenës) një koncert i jashtëzakonshëm”, shkruan Rama.

Koncerti do mbahet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë dhe biletat do të jenë në shitje nga data 15 dhjetor.

Rikujtojmë se violinisti me famë botërore, Shkëlzen Doli, ka performuar në koncertin e Filarmonisë së Vjenës vitin e kaluar.

Violinisti i lindur në Elbasan e i rritur në Gjakovë, së bashku me orkestrën kanë performuar nën udhëheqjen e maestro Zubin Mehta, në Sallën e Artë të Filarmonisë prestigjioze të Vjenës, e cila ishte e dekoruar me 30 mijë lule.

Ceremonia u shfaq në 92 kanalet kombëtare televizive, përfshirë këtu edhe Kosovën e Shqipërinë.