Sot në hotelin “Holiday Inn” në Shkup do të mbahet konferenca përmbyllëse në kuadër të projektit ACTION SEE Vishegrad – Përgjegjësi, teknologji dhe rrjeti i institucioneve të hapura në Evropën Juglindore në temën “Rruga drejt qeverisjes së mirë” në organizim të Fondacionit Metamorfozis.

Në kuadër të konferencës do të promovohet udhërrëfyesi (roadmap) për implementimin e parimeve të qeverisjes së mirë në vendet e Ballkanit Perëndimor – “Rruga drejt qeverisjes së mirë”.
Në konferencë do të mbahen dy diskutime në panel në temat: “Praktikat e mira nga rajoni i Grupit të Vishegradit dhe nga Ballkani” dhe “Të dhënat dhe hulumtimet që janë në dispozicion për qeverisje të mirë”.

“Në vendet e Ballkanit Perëndimor, qytetarët dhe organizatat qytetare nuk i shfrytëzojnë sa duhet veglat e TIK-ut për qeverisje të mirë që janë zhvilluar nga ana e organizatave të tjera dhe nga shteti, e kjo është rezultat i mungesës së vetëdijes dhe shkathtësive.
Po ashtu, ata kanë qenë të dekurajuar që t’i shfrytëzojnë ato për shkak të perceptimit se kontributi i tyre nuk do të bëjë ndonjë ndryshim real. Përveç kësaj, institucionet publike nuk e shfrytëzojnë sa duhet potencialin e TIK-ut  që të bëhen më të përgjegjshme dhe t’i kyçin qytetarët.”

Si mysafirë do të marrin pjesë Kristine Althauzer, ambasadore e Gjermanisë në Maqedoni, Jacek Multanovski, ambasador i Polonisë në Maqedoni, përfaqësues të partnerëve në projektin e grupit të Vishegradit: Çekia, Sllovakia, Hungaria dhe Polonia, si dhe përfaqësues të organizatave partnere qytetare nga vendet e Ballkanit: Маqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.