Konferenca kushtuar sfidave dhe zgjidhjeve për zhvillim të bujqësisë dhe industrisë ushqimore në rajon do të mbahet sot në organizim të Qendrës Edukative M6, në partneritet me Ambasadën e Republikës së Italisë në vend.

Konferenca “Biseda me liderët – Ndërtimi i sistemeve ushqimore-bujqësore rezistente dhe të qëndrueshme – sfida dhe zgjidhje për vendet e Ballkanit Perëndimor”, siç informojnë organizatorët, ka për qëllim t’i vërë në dukje sfidat me të cilat po përballet industria për furnizim me ushqim në nivel global, nën ndikim të krizës së virusit korona, ndryshimeve klimatike dhe digjitalizimit, si dhe të ofrojë zgjidhje për përballjen me kushtet e ndryshuara në prodhim, përpunim, shpërndarje dhe kërkesën e ushqimit, veçanërisht në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Për shkak të varësisë nga importi i ushqimit, sistemet bujqësore-ushqimore në rajon veçanërisht janë të prekura dhe të pambrojtura ndaj rrjedhave globale dhe gjendja e këtillë mund të shkaktojë rritje të varfërisë në vendet, nëse këto sisteme nuk zhvillohen më shpejt dhe nuk bëhen më efikase”, potencojnë nga Qendra Edukative M6.

Kjo konferencë është ngjarja e dytë e organizuar në kuadër të platformës M6 Një hap përpara” të Qendrës edukative M6 dhe është pjesë e Projektit për ushqim, bujqësi dhe mjedis të jetesës “AAA” (Alimentare, Agricultura, Ambiente) për zhvillim të prodhimit bujqësor, që është inicuar dhe organizuar nga Ambasada e Italisë.