Zyrtarët e Moskës dhe Ankarasë kanë arritur një marrëveshje armëpushimi për Sirinë, e cila nëse do të pranohet nga qeveria dhe opozita siriane, mund të jetë një pikënisje për t’i dhënë fund konfliktit 6-vjeçar. Akordi është një zgjerim i paktit të firmosur për Alepon, i cili parashikonte evakuimin paqësor të rebelëve nga zonat ku janë zhvilluar betejat kryesore. Nëse gjendet dakordësia, atëherë Ankaraja dhe Moska do të drejtojnë një raund me negociata mes qeverisë së Assad dhe opozitarëve, dialog që është parashikuar të zhvillohet në kryeqytetin e Kazakistanit.

Turqia dhe Rusia kanë arritur një marrëveshje armëpushimi për Sirinë, e cila sipas palëve përbën edhe hapin e parë për gjetjen e zgjidhjes së konfliktit.

Lajmi është komunikuar fillimisht nga media shtetërore turke, ndërkohë që pritet hyrja e tij në fuqi në mesnatën e sotme.

Plani synon që të zgjerojë përpjekjet e nisura në Alepo, për evakuim paqësor të rebelëve që kundërshtojnë qeverinë e Presidentit Bashar al-Assad si dhe të personave që kanë mbetur të plagosur.

Pakti i firmosur do t’u paraqitet gjatë orëve në vijim përfaqësuesve nga qeveria dhe opozita siriane.

Nëse këta të fundit do t’a pranojnë, atëherë Turqia dhe Rusia janë gati që të drejtojnë një proces politik për të ndërmjetësuar dialogun mes palëve. Gjithmonë nëse do të ketë një dakordësi, diskutimet do të mbahen në kryeqytetin e Kazakistanit.

Kjo nuk është hera e parë që ndërkombëtarët arrijnë një marrëveshje armëpushimi, por është hera e parë që Shtetet e Bashkuara anashkalohen në një marrëveshje të kësaj natyre.

Një akord i mundshëm kishte kohë që diskutohej, teksa jo më larg se një javë më parë, Ministrat e Jashtëm të Rusisë, Turqisë dhe Iranit, u takuan në Moskë ku firmosën principet bazike të paktit.

Në të gjitha rastet kur ka patur marrëveshje, armëpushimi nuk ka zgjatur për shumë kohë, pasi janë vënë re shkelje të ndërsjellta deri në shkatërrimin përfundimtar.

Edhe në procesin e fundit që u fut në fuqi në Alepo, pati në shumë raste shkëmbim zjarri.

Megjithatë, me rimarjen në dorë të këtij qyteti nga ana e qeverisë siriane, rebelët kanë humbur një prej zonave që konsiderohej si zemra e rezistencës, ndaj nuk përjashtohet mundësia që ata të pranojnë të ulin armët.