Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg thotë se është në kontakte të vazhdueshme midis Gjermanisë dhe Turqisë për të gjetur një zgjidhje në lidhje me mosmarrëveshjet e fundit midis dy shteteve për bazën ajrore Incirlik në shtetin turk.
Gjermania ka rreth 270 ushtarakë atje, krahas avionëve luftarakë, ndërsa ka paralajmëruar transferimin e bazës për në Jordani. Stoltenberg i tha gazetës së përditshme gjermane “Bild” se është përqendruar në gjetjen e një zgjidhjeje dhe se nuk do të spekulonte mbi pyetjet hipotetike, përfshirë edhe tërheqjen e mundshme të trupave gjermane nga baza ajrore.
Turqia bllokoi ditë më parë vizitën e disa parlamentarëve gjermanë në bazën ajrore. Tensionet e shtuar bënë që Gjermania të shohë vende të tjera për transferimin e bazës, që mbështetë avionët në fushatën ajrore kundër grupit të Shtetit Islamik.
Stoltenberg thotë se i vjen keq për grindjen ndërmjet dy partnerëve të NATO-s.