Ushtruesi i Detyrës së Preidentit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se sot ka takuar kryeministrin Albin Kurti dhe kandidaten për presidente Vjosa Osmani, të cilët i kanë premtuar dhe garantuar që gjithçka ka të bëjë me Ligjin për zgjedhjet do të jetë pjesë e një procesi të ardhshëm dialogimi mes mazhorancës dhe opozitës dhe se bashkë do ta bëjnë dhe përmbyllin reformën zgjedhore.

Konjufca, përmes një deklarate me të cilën i është drejtuar qytetarëve të Kosovës, ka kërkuar që mazhoranca e Kuvendit të garantojë që mos bëjë asnjë veprim pa u konsultuar me opozitën në këtë aspekt, kurse opozita që nuk do ta bojkotojë procesin e zgjedhjes së Presidentin, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të përsëritura.

“Sot e kam takuar Kryeministrin Albin Kurti dhe kandidaten për Presidente të Kosovës znj. Vjosa Osmani. Kam diskutuar me ta mbi rëndësinë e kompletimit të kësaj faze të tretë të krijimit të institucioneve tona. Pamundësia që brenda afateve kushtetuese ta zgjedhim Presidentin e ri e çon vendin tonë në zgjedhje të reja. Askush nuk dëshiron që Kosova të hyjë në zgjedhje të reja, duke krijuar pasiguri kushtetuese dhe duke humbur shumë kohë. Republika e Kosovës ka nevojë për stabilitet politik e institucional dhe qeverisje demokratike bazuar në vullnetin elektoral të qytetarëve”, thuhet në deklaratën e Konjufcës, transmeton Telegrafi.

Më tej, Konjufca ka thënë se “Për ta krijuar një atmosferë të domosdoshme mirëbesimi para se të hyjmë në këtë proces, ata më premtuan dhe garantuan që gjithçka ka të bëjë me ligjin për zgjedhjet do të jetë pjesë e një procesi të ardhshëm dialogimi mes mazhorancës dhe opozitës dhe se bashkë do ta bëjmë dhe përmbyllim reformën zgjedhore”.
“Kështu që, pas vullnetit të qartë që e shprehu mbrëmë opozita me votën e tyre në Kuvendin e Kosovës, nuk mbetet tjetër veçse të sigurohemi që mazhoranca e Kuvendit të garantojë që mos bëjë asnjë veprim pa u konsultuar me opozitën në këtë aspekt, kurse opozita që nuk do ta bojkotojë procesin e zgjedhjes së Presidentin, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të përsëritura”.

Deklarata e plotë e Konjufcës:

“Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Vendi ynë kaloi nëpër një rrugë të ndërlikuar politike e sociale këto dy vitet e fundit. Në zgjedhjet e vitit 2019 hymë për shkak të dorëheqjes së Kryeministrit. Kurse më 2020, pas negociatave të gjata për krijimin e koalicionit qeverisës, partneriteti nuk zgjati as dy muaj. Në krye të vendit erdhi një Qeveri e cila fatkeqësisht u shpall antikushtetuese nga Gjykata jonë Kushtetuese. Dhe vendi shkoi sërish në zgjedhje.

Përkundër kësaj, Republika jonë vendosi standarde të lakmueshme të demokracisë nga kuptimi i ndershmërisë dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve të lira. Bashkimi Evropian, ShBA-të dhe të gjitha shtetet që i ndihmuan Kosovës gjatë procesit të çlirimit dhe pastaj shtetndërtimit, e vlerësuan dhe e çmuan procesin tonë zgjedhor.